ATSH/ Digjitalizimi i shërbimeve tatimore po sjell përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset, duke reduktuar kohën e nevojshme për marrjen e dokumenteve dhe shmangur procedurat fizike në sportele.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vetëm gjatë muajit maj, pesë nga shërbimet tatimore më të përdorura në platformën e-Albania kanë kursyer gjithsej 379,139 orë për përdoruesit.

Shërbimi më i kërkuar ishte ai i vërtetimit të pagesës, i cili u përdor 178,554 herë. Ndërkohë, vërtetimi për pagesën e kontributeve nga subjekti ose për individin u gjenerua 146,455 herë.

Po ashtu, gjatë muajit maj u lëshuan 25,170 vërtetime për pagesën e detyrimeve, 22,251 vërtetime mbi xhiron për tre vitet e fundit dhe 6,709 vërtetime statusi (aktiv, pasiv, përfshirë datën).

Administrata tatimore vlerëson se përdorimi i këtyre shërbimeve online ka shmangur qindra mijëra vizita fizike në sportele, duke ulur kostot administrative dhe duke rritur efikasitetin e shërbimeve publike.

Digjitalizimi i proceseve tatimore mbetet një nga prioritetet kryesore të modernizimit të administratës publike, me synimin për të ofruar shërbime më të shpejta, transparente dhe të aksesueshme për qytetarët dhe bizneset. /j.p/