/ATSH-FENA/ – “Fakte dhe trillime në luftë dhe pandemi” është tema e konferencës së Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), që filloi sot në Sarajevë.
Ky është tubimi më i madh mediatik i organizuar ndonjëherë në Bosnje-Hercegovinë për sa i përket numrit të pjesëmarrësve dhe ndikimit të organeve mediatike të përfaqësuara nga anëtarët e EANA-s.
Fjalimet përshëndetëse u mbajtën nga presidenti i EANA-s dhe drejtori i agjencisë austriake të lajmeve, APA, Clemens Pig, drejtori i FENA-s Elmir Huremoviç dhe drejtori i fondacionit ”Thomson”, Caro Kriel. Të pranishmit u përshëndetën nga eurokomisionerja për Vlerat dhe Transparencën, Vera Jourova.
Presidenti i EANA-s, Clemens Pig tha se askush nuk besonte se bota mund të përballej me një sfidë edhe më të madhe pas pandemisë së koronavirusit, pasi lufta në Ukrainë tregoi se sa e paimagjinueshme mund të jetë vuajtja njerëzore, por gjithashtu tregon sesi regjimet autoritare minojnë lirinë e fjalës dhe sundimin e ligjit.
Ai theksoi se përgjigjja më e mirë është të forcohet bashkëpunimi ndërmjet agjencive të lajmeve si dhe të punohet për përmirësimin e punës dhe dixhitalizimin e tyre.
Ai përmendi Newsroom në Bruksel si një nga shembujt, i cili do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit midis më shumë se 16 agjencive të lajmeve.
Drejtori i FENA-s, Elmir Huremoviç nënvizoi se pandemia si një sfidë globale për të gjitha mediet në botë ka dëshmuar se sa e rëndësishme është t’i përmbahemi fakteve dhe të mos i nënshtrohemi trillimeve dhe se raportimi i vërtetë është mënyra e vetme për të mposhtur lajmet e rreme dhe pandeminë.
Sipas Huremoviçit, pas pandemisë, ne u përballëm me një tjetër, luftën në Ukrainë, e cila paraqiste një sfidë të re për mediet dhe solli një luftë të re midis fakteve dhe trillimeve dhe një luftë të re për të vërtetën.
“Nuk ka vend më të mirë se Sarajeva për të folur për këtë temë. Sarajeva është një simbol i fitores së të vërtetës mbi gënjeshtrën, jetës mbi vdekjen dhe lirisë mbi shfarosjen”, shtoi Huremoviç.
“Ajo që e dallon raportimin për luftën në Bosnje-Hercegovinë, 30 vjet më parë, dhe luftërat sot është sigurisht zhvillimi i teknologjisë. Ndryshimet teknologjike kanë mundësuar akses më të lehtë në informacion sot, por në të njëjtën kohë, ato kanë hapur mundësi të mëdha për manipulim”, paralajmëroi Huremoviç.
Disa panele do të fokusohen në besimin në media dhe ku janë agjencitë e lajmeve në këtë kontekst, roli i agjencive të lajmeve në shoqëri dhe reagimi i tyre ndaj pandemisë së koronavirusit dhe luftës në Ukrainë.
Tema e njërit prej paneleve është “Lufta e informacionit”.
Asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme e EANA-s është planifikuar të zhvillohet nesër, ku do të diskutohet për statusin e agjencisë ruse të lajmeve TASS në kuadër të aleancës, e lidhur me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe rolin e medias ruse në këtë luftë.



























