Presidenti i Republikës, Ilir Meta votoi sot në njësinë administrative nr.5 në Tiranë.

Gjatë një prononcimi për mediet, pas votimit Meta u bëri thirrje qytetarëve të votojnë.

“Erdhi kjo ditë e bekuar, e mrekullueshme dhe Zoti na ka ndihmuar sot që sovrani të ketë kushtet sa më të mira për të shprehur vullnetin e tij dhe që Republika do të ripërtërijë themelet e saj, përmes votës së lirë e të barabartë të çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë“, tha Meta.

Sipas tij, barazinë para ligjit na e garanton vetëm barazia e votës.

“Prandaj çdo qytetar pavarësisht çfarë ka përjetuar deri dje, sot të votojë i lirë dhe me dinjitet për alternativën që beson. Për fat të mirë në këto zgjedhje ka mundësinë të votojë edhe për kandidatin më të mirë në listën e alternativës që ai do të zgjedhë. Dhe unë i ftoj të votojnë të lirë për alternativën që ata besojnë“, u shpreh Presidenti.

Mbi të gjitha, tha ai, i ftoj të gjithë që te ajo alternativë që ata besojnë të zgjedhin kandidatët më të ndershëm, më me integritet dhe më patriot që do të punojnë për qytetarët e Shqipërisë.