ATSH/ Në kuadër të 2-vjetorit të themelimi të Aleancës për Dhurimin e Gjakut, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot Organizatën Shqiptare të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, me motivacionin: “Në nderim të veprimtarisë së çmuar 15-vjeçare për realizimin e misionit të saj të dhurimit të gjakut; për nxitjen e ndërgjegjësimit të dhurimit vullnetar dhe për bashkëpunimin me organizata të tjera simotra, si shembull i devotshmërisë, dhembshurisë dhe humanizmit”.

Po gjatë kësaj veprimtarie të zhvilluar në oborrin e Institucionit të kreut të shtetit, Presidenti Meta dekoroi themeluesin e Grupit Gjithëkombëtar të Gjakut, mjekun ortoped-traumatolog shqiptar të Kosovës dhe njëkohësisht të Shqipërisë, dhe veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, doktorin Halit Gërbeshi me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, me motivacionin “Për kontributin e çmuar në aktin njerëzor të dhurimit të gjakut; në vlerësim të angazhimit të tij për sensibilizimin dhe mbështetjen e nismave të dhurimit të gjakut në vazhdimësi, duke u shndërruar në shembull frymëzimi dhe devotshmërie në ndihmë të shqiptarëve kudo ku jetojnë në rajon”.

Në fjalën e përshëndetëse Meta tha se “pikënisja e themelimit të saj ka qenë një takim në Ditën e Talasemisë, më datën 8 maj 2018 me Musa Zenelajn, i cili fatkeqësisht, nuk ndodhet më midis nesh. Pasioni dhe përkushtimi i tij për kauzën humane dhe me rëndësi të jashtëzakonshme të dhurimit të gjakut dhe për të ndihmuar fëmijët talasemikë, më prekën por dhe më nxitën në ngritjen e një strukturë si Aleanca”.

“Aleanca lindi si domosdoshmëri për të ndihmuar ata fëmijë e të rinj të cilët kanë lindur me talasemi. Por lindi edhe si nevojë për të sensibilizuar shoqërinë tone, për një kauzë kaq humane sa është dhurimi vullnetar e i vazhdueshëm i gjakut, dhe po ashtu, për të forcuar e rritur solidaritetin për të dhuruar gjak për të gjithë ata që kanë nevojë”, – nënvizoi Meta.

Jeta, vijoi Meta,  është shpesh e paparashikueshme dhe mund të na vendosë përpara momenteve mjaft të vështira, ku secili prej nesh apo familjarët tanë, mund të kenë nevojë për gjak.

“Prandaj, duhet të kujtojmë gjithmonë, që të dhurosh gjak do të thotë të shpëtosh jetën e dikujt, që një ditë mund të jetë prindi, fëmija, i afërmi ynë ose dhe ne vetë”, – tha Presidenti.

Sot, shtoi Meta, pas 2 vitesh jetë të Aleancës për Dhurimin e Gjakut, ndihem krenar për punën dhe angazhimin e anëtarëve të saj. Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për përkushtimin tuaj për këtë kauzë dhe angazhimin për të siguruar furnizim të vazhdueshëm me gjak, për ata që kanë nevojë.

“Aktiviteti i sotëm tregon qartë se në këto 2 vite, kemi pasur një shtrirje gjeografike të gjerë, nga Shkodra në Konispol, nga Pogradeci në Sarandë, nga Berati në Cërrik, nga Kavajë në Divjakë, e kudo ku njerëzit  kanë më shumë nevojë. Falë impenjimit dhe kontributit të dhuruesve të ndryshëm janë përballuar situata të vështira siç janë stina e verës dhe ajo e dimrit, kur mungesa e furnizimit me gjak ndihet më shumë”, – tha Meta./k.s//a.a/