Bankwatch është rrjeti më i madh i organizatave mjedisore dhe shoqatave për të drejtat e njeriut në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Raporti, i titulluar “Përputhu ose mbyll”, u publikua më 23 qershor dhe trajton moszbatimin e ligjeve për emetimet e dioksidit të squfurit (SO₂) nga termocentralet e vjetruara me qymyr në Ballkanin Perëndimor, të cilat, vitin e kaluar, i kanë tejkaluar kufijtë ligjorë.
Në të njëjtën kohë është rritur edhe ndotja nga pluhuri, duke arritur nivelin më të lartë që nga hyrja në fuqi e rregullave aktuale në vitin 2018.
Termocentralet me qymyr në Bosnje dhe Hercegovinë kanë qenë emetuesit më të mëdhenj të SO₂, me 196.940 tonë, që është 12.7 herë mbi kufirin e lejuar.
Pas saj renditet Serbia me 177.756 tonë, ose 5.1 herë mbi nivelin e lejuar.
Në të gjithë rajonin, emetimet e SO₂ janë ulur vetëm në mënyrë të lehtë që nga viti 2018.
Kufijtë e emetimeve në vitin 2025 janë bërë edhe më të rreptë se në vitet e mëparshme – gjë që ka çuar në shkelje edhe më të mëdha, thuhet në raportin e Bankwatch-it.
Ndotësi më i madh i SO₂ në vlera absolute mbetet termocentrali Uglevik në Bosnje dhe Hercegovinë, edhe pse ai ka pajisje për desulfurizim.
Emetimet në vitin 2025, me 115.079 tonë, kanë qenë më të lartat që nga hyrja në fuqi e rregullave për kontrollin e ndotjes në vitin 2018.
Ndotja nga pluhuri ka qenë 2.9 herë më e lartë se niveli i lejuar në vitin 2025, duke arritur nivelin më të lartë absolut dhe relativ që nga fillimi i zbatimit të rregullave më 2018.
Kjo është nxitur kryesisht nga një rritje e madhe në termocentralin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut, i cili ka dyfishuar emetimet krahasuar me vitin 2024.
Vetëm ai ka emetuar më shumë se 7.094 tonë mbi kufirin e lejuar për të gjithë rajonin.



























