ATSH/ “Asnjë vend nuk i shpëton dot pasojave të ndryshimeve klimatike, prandaj mobilizimi dhe solidariteti i të gjitha vendeve nuk pret asnjë sekondë më shumë”.
Kështu u shpreh sot ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila mori pjesë në Ministerialin për Mjedisin në Kajro, ku u mblodhën 42 vende anëtare të “Bashkimit për Mesdheun”.
“S’kishte ç’të na bashkonte tjetër në këtë moment veç hallit të madh botëror të ndryshimeve klimatike, ndërsa përgatitemi për takimin e krerëve të shteteve (COP26) të Glasgout. Rreshtohemi pa asnjë hezitim përkrah vendeve të Bashkimit Europian me objektiva konkretë për uljen e emetimeve të CO2 me -20,9% brenda vitit 2030 dhe reduktimin në zero emetime të dioksidit të karbonit brenda vitit 2050”, tha Kumbaro.
Ajo tha se “bashkë me kolegë të tjerë, ministra të Mjedisit dhe me komisionerin e BE-së për klimën, Frans Timmermans, ramë dakord se axhenda e gjelbër është busulla e re e vendimeve tona”.
“Mund të jemi të vegjël në raport me ndikimin që kanë shtetet e tjera, por natyra na shpërblen ose na godet të gjithëve njësoj. Prandaj nga sot të flasim më pak e të veprojmë më shumë për mjedisin, për fëmijët tanë, para se ata të na mallkojnë se u kemi marrë peng të ardhmen”, tha Kumbaro.