ATSH/ -Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, thirri sot mbledhjen e Grupit të Deputetëve “Miqtë e fëmijëve”.
Ruçi, nënvizoi se, “situata e pandemisë sigurisht që ndikoi edhe të fëmijët, edhe pse nga pikëpamja e rrezikshmërisë së jetës, koronavirusi ishte një kërcënim më i vogël për brezat e rinj, nga ana tjetër pasojat sociale, psikologjike, arsimore dhe ekonomike ishin shumë të mëdha për këtë pjesë të shoqërisë”.
“Zëvëndësimi i mësimdhënies dhe nxënies tradicionale me ato virtuale ishtë një sfidë e vërtetë për të gjithë si sistemin arsimor, mësuesit, familjet, por nga ky zëvëndësim i detyruar më të dëmtuarit ishin nxënësit. Me këtë rast, falënderoj të gjithë ata që kontribuan në mënyrë që nxënësit e shkollave të dëmtoheshin sa më pak nga ndryshimi i papritur i metodave të mësimdhënies e mësimnxënies, shkollat, mësuesit, radiotelevizionin shqiptar si edhe vetë nxënësit, të cilët u ndërgjegjësuan për këtë sfidë që imponoi pandemia”, tha Ruçi.
“Tashmë që Qeveria po përgatit masat e strategjisë së daljes nga situata e pandemisë, të gjithë, por në mënyrë të veçantë Kuvendi i Shqipërisë, duhet të bëjmë kujdes që masat dhe programet e daljes nga kjo situatë të jenë sa më strikte në mënyrë që të parandalojnë prekjen e fëmijëve nxënësit e shkollave, studentët e universiteteve dhe përgjithësisht sistemin arsimor si një investim kombëtar, shoqëror e kulturor afatgjatë”, u shpreh ai.
“Nga të gjithë sektorët ka mundësi të kursejmë dhe të rialokojmë, por mundësisht aspak nga arsimi dhe shëndetësia. Pandemia na rikujtoi edhe njëherë se është një imperativ njerëzor, kombëtar dhe fisnik të konsiderosh si prioritete strategjikë afatgjatë të zhvillimit shëndetin dhe arsimimin e popullsisë”, theksoi Ruçi.
“Vlerësoj punën voluminoze dhe me intensitet që kanë bërë shkollat, mësuesit dhe të gjitha operatorët e përfshirë në këtë proces. Është një sfidë e vështirë, prej së cilës nxorëm shumë mësime të vlefshme. Vlerësoj kujdesin e veçantë që është treguar edhe nga Ministria e Arsimit, shkollat dhe mësuesit, por edhe nga sektori privat dhe fondacionet e ndryshme për kontributin e tyre në lehtësimin e mësimit virtual për nxënësit e familjeve të varfëra e me nevoja të veçanta.
Por duhet të jemi më realist në vlerësime, në mënyrë që ta ndërtojmë punë sa më mirë dhe të dimë se çfarë kemi për të kompensuar në të ardhmen”, tha Ruçi.
Ruçi sugjeroi që “kur viti i ardhshëm shkollor të fillojë normalisht, Ministria e Arsimit, drejtoritë arsimore, shkollat dhe mësuesit duhet të mbajnë parasysh mangësitë dhe pamjaftueshmërinë reale e praktike të shkaktuara nga mësimit virtual.
Për këtë arsye Ministria duhet të krijojë mundësi për të kompensuar njohuritë që nxënësit nuk i kanë marrë të plota”.
Por, vijoi ai, “më e rëndësishmja, të bëhet kujdes për të verifikuar nevojat e nxënësve për mjaft shprehi, të cilat krijohen nga prezenca dhe kontaktet në klasë dhe që nuk mund të transmetohen në mënyrë virtuale. Vetëm, kështu do të kompensojmë mangësitë e natyrshme të mësimit virtual dhe të garantojmë mbështetje funksionale e produktive për fëmijët e familjeve të varfëra dhe me nevoja të veçanta”.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, mori pjesë në takimin me Grupin e Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, ku pjesë e axhendës ishte edhe diskutimi mbi ecurinë e mësimdhënies në shkollat 9-vjeçare e të mesme, si dhe masat e ndërmarra mbi kujdesin specifik për nxënësit e familjeve në nevojë.
Në fjalën e saj, ministrja Shahini duke u ndalur tek sfidat e krijuara vitin e kaluar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe me pandeminë Covid-19 këtë vit, nënvizoi se “ne jemi munduar që të gjithë nxënësit të kenë mundësi të ndjekin mësimin nga shtëpitë”.
Ajo u shpreh gjithashtu se “kemi qenë fleksibël me mësuesit dhe nuk e kemi bërë të kompleksuar sistemin arsimor”.
Ndër të tjera, ministrja Shahini vuri theksin edhe tek rëndësia që i është kushtuar ruajtjes së shëndetit mendor të nxënësve, për të cilën theksoi se afro 2,000 nxënës kanë marrë shërbim psiko-social.
Mbledhja shqyrtoi një informacion mbi ecurinë e mësimit në shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme dhe kujdesin specifik për nxënësit e familjeve në nevojë, të cilin e paraqiti Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Mbledhja diskutoi e miratoi Raportin Vjetor të Grupit të Deputeteve Miqtë e Fëmijëve për vitin 2019, kalendarin e punës për vitin 2020 si edhe një informacion mbi Zbatimin e Rezolutës “Për vlerësimin e punës së Grupit të Deputeteve Miqtë e Fëmijëve”.
/gj.mima//k.s/j.p/