ATSH/ Kuvendi nisi sot diskutimin në seancë plenare projektligjin “Për ratifikimin e ndryshimit të protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lire me Turqinë”.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se miratimi i protokollit me Republikën e Turqisë vjen si një vlerë e shtuar e punës së vazhdueshme për hapjen e mundësive për tregje të reja për biznesin shqiptar.
Detyrimi dhe angazhimi ynë është që protokollet e rregullave të origjinës në marrëveshjen e tregtisë së lirë ndërmjet palëve në Pan Euro Mediterriane (PEM) të zëvendësohen të gjitha me rregullat e origjinës së përcaktuara në konventën rajonale.
“Konventa PEM, ku Shqipëria është pjesë që prej vitit 2012 do të zëvendësojë përfundimisht rrjetin e rreth 60 protokolleve bilaterale mbi rregullat e origjinës në fuqi në zonën PEM me një instrument të vetëm ligjor”, tha Denaj.
Përmes këtij p/ligji, tha Denaj, mundësojmë hapjen e tregjeve të reja për eksport duke përfshirë edhe vendet e EFTA, si Zvicra, Norvegjia, Islanda etj. Bashkëpunimi dhe eksplorimi i këtyre tregjeve deri tani, tha ajo, ka qenë i limituar përpos të tjerave edhe nga kosto dhe procedurat e ndërlikuara dhe rregullat e origjinës.
“Miratimi i këtij protokolli do të sjellë ulje të kostove, rritje të aksesit të bizneseve në këto tregje, ku krahas vendeve të BE, CEFTA, apo Turqisë, prodhuesit shqiptarë mund të eksportojnë lëndë të parë ose produkte me çmim konkurrues në Turqi dhe ta eksportojnë atë edhe në vendet EFTA”, vuri në dukje Denaj.
Zëvendësimi i këtij protokolli me Konventën, tha ajo, mundëson thjeshtim në zbatim të rregullave të origjinës pasi operatorët ekonomik nuk do tu referon më 4 protokolleve, por vetëm 1 protokolli.
Marrëveshja e tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe
Republikës së Turqisë, ratifikuar në 2007-n, ka shënuar një hap përpara në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sidomos në zhvillimin e eksporteve drejt Turqisë.
Në përputhje me dispozitat e marrëveshjes së tregtisë së lirë (MTL) me Turqinë, tregtia e produkteve industriale ndërmjet të dyja vendeve është pa tarifa doganore, ndërkohë që për produktet bujqësore është mbajtur pozicion mbrojtës, për disa produkte që janë specifike për vendin tonë.
Turqia është një nga pesë partnerët kryesorë në eksporte dhe duhet theksuar se eksportet tona drejt Turqisë janë rritur ndjeshëm pas nënshkrimit të MTL-së.
Në vitin 2011 Shqipëria dhe Turqia kanë amenduar MTL-në, duke përfshirë akumulimin diagonal në zbatimin e rregullave të origjinës, i cili ndihmon sidomos ekonomitë në zhvillim për importin e lëndëve të para, për përpunimin e tyre në vendin e importit dhe më pas eksportimin nën regjimin preferencial.
Procesi i rishikimit të rregullave të origjinës preferenciale ka ndihmuar në mënyrë të veçantë industrinë fason, duke rritur mundësinë për eksport.
/a.gjonaj//a.a/