Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot në parim në mënyrë unanime projektligjin për “Shërbimet e pagesave”, i cili përafron legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian, përqafon zhvillimet e teknologjisë financiare dhe është një zgjidhje sistemike për paranë informale në treg.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh se “procesi i shpërndarjes së mbështetjes financiare për COVID-19, dëshmoi edhe njëherë aksesin e ulët të popullsisë në shërbimet financiare”.

Sot, tha ajo, u japim qytetarëve më shumë mundësi zgjedhjeje për të kryer transaksionet e tyre të përditshme, në mënyrë të lehtë dhe me kosto efektive.

“Projektligji për ‘Shërbimet e pagesave’ do të sjellë rritje të konkurrencës; do të rrisë përfitimet nga përdorimi i instrumenteve moderne të pagesave dhe pajisja me llogari bankare; do të shtojë ofruesit e shërbimeve të pagesave; do të ulë qarkullimin e parasë fizike dhe do të reduktojë paranë informale; do të reduktojë kostot e transaksioneve;
do të rrisë shumëllojshmërinë e shërbimeve të pagesave”, tha Denaj.

Ajo theksoi se “Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë angazhohen që ky projektligj të materializohet sa më shpejtë, si një reformë në të mirë të jetës së përditshme të qytetarëve dhe me rëndësi të veçantë në sektorin financiar”.

Atsh