Kuvendi miratoi sot me 70 vota pro projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Para miratimit të projektligjit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku paraqiti një amendament ku kërkonte shtyrjen e zbatimit të ligjit.

Sipas Tabakut, “ky projektligj e penalizon punën, sepse fatkeqësisht kjo qeveri nuk e vlerëson profesionistin, atë që fiton me të ardhura të ndershme”.

“20 milionë euro më shumë do të paguajnë 17.000 profesionistë të lirë, avokatë, kontabilistë, noterë, mjekë, dentistë, farmacistë. Kjo është shtresa e mesme e shoqërisë. Ky është tatimi socialist, që taton atë që punon më shumë, që është më i ndershëm, sepse po nuk je i ndershëm do të kesh amnistinë fiskale. Po vodhe, po bëre korrupsion, do të bësh legalizimin e kanabisit. Ti do të kesh mundësi po të jesh i korruptuar t’i legalizosh paratë e tua nëpërmjet amnistisë fiskale. Por jo, po punove ty do të të tatojnë deri në 23 %”, tha ajo.

Tabaku u shpreh se “ky ligj është i padrejtë, ndërsa shtoi se biznesi i vogël nga viti 2013 ka qenë biznesi më i penalizuar”.

“I vetëpunësuari ka riskun e tregut, nuk ka përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore, ka persona të tjerë të marrë në punë. Ka një sërë elementësh të cilët e bëjnë atë të ndryshëm nga gjithë të tjerët. Nuk mund ta konsiderosh të ardhurën nga fitimi i një kompanie njësoj si një e ardhur personale e një biznesi”, tha ajo.

Deputetët rrëzuan amendamentin e Tabakut dhe votuan në tërësi ligjin.

Në seancën e sotme plenare u miratua me 71 vota pro edhe raporti i veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për vitin 2022, si dhe dy projektvendime për caktimin e Shpëtim Idrizit si anëtar zëvendësues në komisionin e Ligjeve dhe atë të Ekonomisë e Financave.

Po sot, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Mbledhja shqyrtoi dhe miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 10 prill-28 prill 2023.

Konferenca e Kryetarëve, pas diskutimeve, vendosi zhvillimin e seancës plenare në datën 13 prill, ndërsa seanca tjetër e muajit prill do të vendoset në varësi të nevojave të punës së Kuvendit.