ATSH/ Pushuesit dhe vizitorët që do të zgjedhin këtë verë Lezhën do të kenë mundësi të eksplorojnë lehtësisht edhe malin e Rrencit.

Një shteg mjaft interesant përshkon kurrizin malor të një zone që më parë ka qenë e banuar duke shijuar pamjet e mrekullueshme që natyra ka krijuar në këtë zonë, historinë, kulturën dhe panoramën e bukur që e shoqëron këtë udhëtim.

Për ta bërë më të lehtë udhëtimin, që mund të bëhet në këmbë, me biçikletë mali, motora apo fuoristrada, Drejtoria e Turizmit e Kulturës në Bashkinë e Lezhës ka realizuar edhe markimin e këtij shtegu, që nis në hyrje të rrugës për tek Rana e Hedhun dhe vijon ngjitjen e malit.

Janë 16 km shteg që tani do të mund të aksesohet më lehtë për shkak të sinjalistikës që është vendosur, por eksploratorët orientohen edhe për drejtimin e objekteve të kultit dhe vlerave kulturore që ndodhen në këtë zonë.

Ecja do t’ju prezantojë para vetes bimësi mjaft të larmishme edhe me bimë medicinale që mund të merren në kthim siç është sherebela, trandafili i egër, lisna, dardha e egër apo edhe thanat, por gjithmonë sipas stinës së pjekjes së tyre.

Rrugës ndeshen banesa të braktisura, disa prej të cilave po rikonstruktohen nga banorët që më parë kanë jetuar në to për t’i kthyer në bujtina, por edhe shkollën e vjetër dhe mënyrën sesi ka jetuar fshati Rrenc para se ai të braktisej pas viteve ’40.

Kisha e Shën Nikollit është objekti i parë që ndeshet rrugës, një objekt kulti mbi 600-vjeçar që është në gjendje shumë të mirë dhe mjaft e bukur për t’u parë, ndërsa ndodhet brenda një rrethimi me lisa të mëdhenj.

Tumat ose kodërvarret ilire të tipi dalmatin që vendasit i quajnë mogila janë një vlerë e jashtëzakonshme pasi datojnë prej më shumë se 3500 vitesh dhe janë shumë pak të eksploruara edhe pse madhështia e tyre është e jashtëzakonshme.

Rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, shtëpia e klerikut simbol të antikomunizmit At Zef Pllumi, shumë shtëpi tipike të zonës, shpella e lera (pellgje për grumbullimin e ujit), puse e livadhe do të shoqërojnë këtë udhëtim deri në kthim.

Në kthim, ndërsa keni pushuar në livadhet e shumta, do të përshkoni një kurrizore poshtë të cilit shtrihet plazhi i mrekullueshëm i Ranës së Hedhun, monument natyre që vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë për veçoritë dhe pamjen e mahnitshme.

Ndërsa rrethoheni nga gjelbërimi, poshtë duket kaltërsia e detit. Duke ndjekur tabelat dhe sinjalet të ngjyrosura në gurë e shkëmbinj është më e lehtë për vizitorët për të lëvizur edhe pa patur nevojën e udhërrëfyesit.

Banorët japin shumë informacion, më shumë se çdo udhërrëfyes sepse ata dinë historinë, traditën, gojëdhënat dhe njohin bujarinë si gjënë më të vlefshme për ta, ndaj çdo vizitor nuk duhet të ngurojë të kërkojë ndihmën e tyre në çdo rast.

Ky është vetëm hapi i parë drejt shenjestrimit të të gjithë shtigjeve malore dhe itinerareve natyrore, kulturore e historike në bashkinë e Lezhës, për të ngjallur interesin e pushuesve dhe vizitorëve gjatë stinës së verës.

/m.m/j.p/