ATSH/ Fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta si masë sigurie, për shkak të një problemi teknik të përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror nga Albcontrol.
Sipas njoftimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), problematika është adresuar menjëherë dhe po vijojnë përpjekjet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet.
TIA bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.
Aeroporti ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion për të mbështetur operacionet në terminal dhe për të garantuar menaxhimin sa më të shpejtë të situatës.
“Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë maksimumin për të përshpejtuar rikthimin e operacioneve në normalitet”, thuhet në njoftim.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive ajrore për informacionet më të fundit mbi statusin e fluturimeve.
TIA thekson se siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor.
/e.xh/a.f/



























