Presidenti Ilir Meta i ka dërduar një letër kreut të Kuvendit Gramoz Ruçit dhe për dijeni edhe kryeministrit Edi Rama sa i përket ndryshimeve në Kodin penal.

“Dispozitat e reja duhet të jenë të qarta, për të mos cenuar parimin e sigurisë juridike, me qëllim që e gjithë popullata të mos mendojë se mund të bëhet subjekt i procedimit penal në mënyrë të padrejtë, ashtu siç është krijuar tashmë ky shqetësim në mbarë opinionin publik, referuar ky shqetësim edhe nga aktorët që u është marrë mendimi gjatë procesit legjislativ, por dhe duke parë mungesën e qartësisë së propozimeve”, shkruan Meta.

Letra

Lënda: Mbi miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

Z. GRAMOZ RUÇI
KRYETAR I KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Tiranë
Për dijeni:
Z. EDI RAMA
KRYEMINISTËR
Tiranë

I nderuar Z. Ruçi,

Së pari, më lejoni t`ju falënderoj për angazhimin e treguar në mbledhjen e datës 15 prill 2020 të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Pjesë e diskutimit të kësaj mbledhjeje ishin dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, e që lidhen me përballimin e situatës së krijuar nga Pandemia Covid-19.

Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, përmes shkresës së Kuvendit me nr. prot. 1108, datë 15.04.2020, u njoha zyrtarisht me Raportin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe tekstin integral të miratuar nga ky Komision të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Pasi u njoha me këtë dokument, dhe u njoha gjithashtu me komentet e dhëna mbi këtë nismë (përmendur dhe në Raport) të Avokatit të Popullit, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Fondacionit Shoqëria e Hapurt për Shqipërinë (OSFA), deklaratën e përbashkët të një grupi të organizatave të shoqërisë civile, ashtu siç bëra me dije ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në cilësinë e Presidentit të Republikës, nisur nga situata e jashtëzakonshme që po kalon vendi, vlerësoj të domosdoshme që përpara se Kuvendi të votojë sot në seancë plenare këtë projektligj, duhet patjetër të mbajë në konsideratëse ndërhyrja në Kodin Penal:
– duhet të respektojë detyrimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe dispozitat kushtetuese që lidhen me procedurën e miratimit dhe parimet e të drejtat themelore të njeriut;
– duhet të rivlerësohen marzhet e sanksioneve penale, për ta sjellë normën e re në kushte proporcionale me gjendjen aktuale dhe vlerësimin e qeverisë për situatën e pritshme që mund të kalojë vendi.

Dispozitat e reja duhet të jenë të qarta, për të mos cenuar parimin e sigurisë juridike, me qëllim që e gjithë popullata të mos mendojë se mund të bëhet subjekt i procedimit penal në mënyrë të padrejtë, ashtu siç është krijuar tashmë ky shqetësim në mbarë opinionin publik, referuar ky shqetësim edhe nga aktorët që u është marrë mendimi gjatë procesit legjislativ, por dhe duke parë mungesën e qartësisë së propozimeve.

Paragrafët e dispozitave të reja, duhet të përcaktojnë qartë elementët e secilës figurë të veprës penale, veçanërisht subjektin, si dhe format e konsumimit tësaj, duke bërë dallim të qartë mes dashjes dhe pakujdesisë, si dhe duke treguar kujdes në proporcionalitetin e dënimit në përputhje me pasojat qëmund të vijnë.

Gjithashtu, duhet qartësuar se një subjekt nuk mund të procedohet penalisht, nëse nuk është proceduar më parë në rrugë administrative.

Këto sugjerime paraprake vlerësoj se duhet të konsiderohen nga Kuvendi i Shqipërisë përpara votimit të kësaj nisme të rëndësishme ligjore.

Me qëllim miratimin e një norme sa më objektive, proporcionale dhe të pranueshme nga të gjithë, kur bëhet fjalë për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, më lejoni që në këto kushte të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të cilën ndodhemi, t`ju përcjell bashkëlidhur një draft të përmirësuar të projektligjit të miratuar nga Komisioni përgjegjës për çështjet ligjore.

Kjo mënyrë e veçantë komunikimi përgjatë procesit legjislativ, synon vetëm mbrojtjen e interesit publik e të shtetasve, dhe rregullimin e jetës shoqërore në vend, përkundrejt parimeve kushtetuese dhe atyre ndërkombëtare.

Me lejoni t`ju garantoj për bashkëpunimin tonë deri në fund të këtij procesi,

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

Top Channel