Kryeministri Edi Rama i cilësoi sot të paimagjinueshme tubimet elektorale të opozitës në thyerje të masave antikovid, ndërsa theksoi se, “ndërkohë që vendi ka hyrë tani në fazën e vaksinimit masiv, opozita bën infektim masiv”.
Rama tha se, “Shqipëria është sot një nga dy vendet e vetme në gjithë Ballkanin me vaksinim masiv dhe me numrin e vaksinimeve që çdo ditë në përqindje popullate po ngjitet e do ngjitet shumë shpejt në pjesën e sipërme të klasifikimin europian”.
“Thonë ‘i kapni’, po kë të kapësh, si t’i kapësh? Çfarë do bëjmë, do çojmë makinat e blinduara apo makinat me ujë t’i shpërndajnë? Nuk mund të shkojë Policia t’i shpërndajë, se ata e kanë treguar se me ta ka gjithmonë më keq. Duke u lutur që Zoti t’i mbrojë ata që udhëheqësi i çon për skrap, le të bëjmë durim deri në datën 25 prill dhe le të shpresojmë që shqiptarët më shumë se asnjëherë tjetër t’i japin një mësim të madh këtyre që kanë 8 vjet që vetëm helmojnë, vetëm pengojnë, vetëm bllokojnë e shkatërrojnë”, tha Rama.
Kryeministri tha se “ka 8 vjet që nuk kanë dhënë një kontribut të vetëm. Mirë kontribut në kohë normale, por të paktën kontributin e mirëkuptimit dhe heshtjes në kohë tragjedish”.
“Bie tërmeti këta bëhen me tërmetin, jo me shqiptarët. Vjen një virus një herë në 100 vjet, këta bëhen me virusin jo me shqiptarët”, tha Rama.
“Ne kemi shumë respekt për traditën, por nuk llokoçitemi në tavën e dheut me raki e të bëjmë muhabet për demokraci, si varianti më i mirë, se ka dhe një variant tjetër me motolov e rrëmujë, apo hajde mblidhemi te sheshi i Kavajës se po vjen dhëndri. E vjen dhëndri, hipën në makinë mblidhen për dasmë e i fusin një fejesë me COVID-in shpejt e shpejt. Zoti i ruajt, nuk do të doja kurrë që t’u dalë dasma për hundësh, se ata që mblidhen nuk janë fajtorë, janë qorra dhe të shurdhër që sytë e veshët i kanë top e mendjen tapë komplet, gdhirë e ngrysur 30 vjet tapë me ‘liri, demokraci’, luftojmë komunizmin. Çfarë komunizmi luftojnë këta, unë nuk e di. Se si luftohet komunizmi duke u përqafuar me COVID, këta do mund ta shpjegojnë”, shtoi ai.
Duke folur për situatën e pandemisë, Kryeministri tha se Franca ka hyrë në mbyllje tjetër dhe janë lemerisur vendet më të zhvilluara.
Ne, tha ai, “jemi të detyruar të respektojmë këtë moment shumë të rëndësishëm të demokracisë e do ta bëjmë deri në fund, por para PS-së, para politikës, para votave e karrigeve është shëndeti i të gjithëve”.
“Nuk mund të trajtohen ashtu njerëzit më besnikë, se ata që fërshëllejnë janë më besnikët, por verbëria e tyre është kaq e madhe sa, po nuk i ruajti i pari i shtëpisë që mos t’i çojë si cjapi te kasapi, ata nuk pyesin fare”, tha Rama.