Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Në terren po operojnë gjithashtu 167 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.

Në Dajt dhe Priskë të Madhe vijojnë ndërhyrjet e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së, me mbështetje nga ajri. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Drenie, bashkia Patos, pas riaktivizimit të vatrës, operacioni vijon me 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa gjatë ditës së djeshme ndërhyrja u mbështet edhe nga dy avionë “Air Tractor”.

Në Krujë vijojnë operacionet në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil, me angazhim të forcave ushtarake, strukturave vendore dhe mbështetje nga ajri. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërhyrjet vijojnë edhe në Nemërçkë dhe malin Dhëmbel, në Përmet, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, bashkiake dhe efektivë të FA-së. Edhe në këto zona nuk ka rrezik për banesat.

Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, ku zjarri është pranë disa banesave. Në terren janë angazhuar forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore, ADZM, vullnetarë, 50 efektivë të FA-së, dy helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”. Forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave për mbrojtjen e komunitetit.

Aktive mbetet edhe vatra në malin e Moravës, bashkia Devoll, në një zonë të mbrojtur, me pyll pishe. Operacioni po zhvillohet nga forcat zjarrfikëse të Devollit dhe Korçës, në bashkëpunim me shërbimin pyjor. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se operacionet vijojnë me kapacitete të shtuara tokësore dhe ajrore, me fokus mbrojtjen e banesave dhe komuniteteve, kufizimin e përhapjes së zjarreve dhe neutralizimin e plotë të vatrave aktive.

/gj.m/r.e/a.f