TIRANË, 13 korrik/ ATSH- A. Fortuzi/- Ka nisur procesi i hartimit të strategjisë 5-vjeçare të Ndihmës Juridike të garantuar nga shteti.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, njofton se ky proces ka për qëllim përmirësimin dhe rritjen e aksesit në drejtësi për grupet vulnerabël.

“Në kuadër të ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike parësore dhe dytësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ka nisur procesi i hartimit të një Strategjie të re 5-vjeçare dedikuar Ndihmës Juridike të Garantuar nga Shteti, me qëllim përmirësimin dhe rritjen e aksesit në drejtësi për grupet vulnerabël.”,- thekson Gjonaj.

“Përgëzoj Drejtorin e Përgjithshëm dhe stafin e Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, si dhe falenderoj Euralius V për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm strategjik dhe plan veprimit përkatës.”,- shton Gjonaj.

“Ndihmë juridike” është shërbimi juridik falas dhe shërbimet e tjera të parashikuara në ligjin për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, për personat që përmbushin kriteret e këtij ligji. Ky shërbim jepet në formën e ndihmës juridike parësore dhe dytësore, përjashtimit nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore dhe përjashtimit nga detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit.

Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 111/2017, Ministria e Drejtësisë ka ndryshuar strukturën e sistemit të ndihmës juridike të garantuar nga shteti duke krijuar tashmë një institucion të veçantë, të dedikuar për këtë qëllim. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ka për mision, garantimin e ndihmës juridike si një nga format më thelbësore të aksesit në drejtësi që duhet të ketë çdo individ për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tij ligjore dhe kushtetuese.

ATSH