ATSH/ Kryeministri Edi Rama pa sot nga afër nisjen e projektit të ri të infrastrukturës turistike të Vlorës, që do të lidhë Ujin e Ftohtë me Radhimën e Orikumin.

Rama theksoi se rrugës ekzistuese i shtohet edhe korsia e biçikletave, bashkë me elementë të rinj të mobilimit urban, si edhe rruga e re që do të sigurojë ndarjen e trafikut të makinave nga traseja ekzistuese, e cila do të kthehet në zonë këmbësore në pjesën e Radhimës, ku do t’i jepet prioritet pushuesve e njësive të shërbimit të zonës.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli u shpreh se “ky investim ka një shtrirje prej 11 km, nga tuneli i Vlorës drejt Orikumit”.

“Do të investohen rreth 10 milionë dollarë, të cilat parashikojnë rregullimin e gjithë shtratit të rrugës, dy bypasset e Radhimës dhe Orikumit. Do të doja që ky projekt të vazhdonte edhe në pjesën tjetër ku janë korsitë e biçikletave dhe trotuaret”, tha ai.

Leli theksoi se “ky investim është i garantuar nga qeveria dhe ka një shqetësim të opinionit publik në rritje për bllokimin në presidencë të plotfuqisë së fondeve të garantuara tanimë, për të kaluar në fazën tjetër të investimit”. ” Do të doja shumë të ketë një reagim për ta çuar para këtë investim, i cili është i firmosur dhe vetëm për arsye të plotfuqisë nuk mbërrin kjo pjesë tjetër e investimit në territor”, tha Leli.

Kryeministri Rama theksoi se “ne nuk kemi dashur të bëjmë debat publik të politizuar për këtë, por është fakt që ka qysh nga fillimi i nëntorit që presim plotfuqinë, një autorizim formal i Presidentit, pasi kemi bërë gjithë negociatën me Fondin Saudit”.

“Faktikisht është bllokim total, sepse në momentin që nuk jepet plotfuqia ne nuk e materializojmë dot. Është një fond i konsiderueshëm për të zhvilluar projektin në dy drejtime. E para, gjithë rehabilitimi dhe sistemimi i kësaj rruge që është deri poshtë në Radhimë dhe pastaj në Orikum, plus rrugën tjetër, sepse pjesën e Radhimës e kemi premtuar me kohë që do ta urbanizojmë, duke futur elementë të Lungomares. Rrugën e makinave do ta devijojmë në një masë të caktuar që të mos jetë ajo rrëmujë e tmerrshme, këtu plazhistë me bare e restorante dhe pishina dhe këtu makina që kalojnë”, tha Rama.

Ai theksoi se tani jemi në bllokadë. “Nuk kam dashur ta bëjmë zhurmë këtë punë, por tani e ka marrë vesh gjithë Vlora që e bllokon Ilir Meta dhe nuk e di çfarë ka, ose e di se çfarë ka por s’dua të hyjë në këtë pjesë. Dua thjesht të bëhet kjo punë se është një bllokim absurd i projektit”, tha Rama.

Kryeministri tha është një projekt spektakolar dhe duhet vetëm të mos na pengojë plotfuqia e Shkëlqesisë. /m.m/