ATSH/- Brenda vitit 2023, Piramida e Tiranës do të shndërrohet në qendrën më të madhe teknologjike në rajon.

Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, inspektuan sot punimet e nisura për zbatimin e projektit të rijetëzimit të Piramidës, një projekt fantastik transformimi arkitektonik i studios së famshme hollandeze MVRDV.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama  u shpreh se “ky është një ndër projektet që ka marrë më shumë kohë dhe më i vështiri për të marrë formën e dëshiruar dhe për të jetësuar harmonizimin shumë të vështirë midis të shkuarës dhe të ardhmes përmes një ndërhyrje në të tashmen”.

“Kjo ka qenë një ndërtesë e cila në në kohën kur u ngrit dihet se cfarë qëllimi kishte, por nga pikëpamja arkitektonike ishte ndryshe nga të tjerat. Ishte një shkuarje e arkitektëve të kohës, përtej kornizës së kohës së asaj kohe.  Ajo çka nuk i lejohej të tjerëve, dhe nuk lejohej për të tjerat, dhënia e një forme që ishte shumë më e lidhur me tendencat e arkitekturës moderne, për një objekt që ndërtohej në Shqipëri, ishte e mundur në rastin kur kjo formë do duhej të përmbante mesazhin e përjetshëm të lavdisë së komunizmit dhe Enver Hoxhës. Kjo e bëri godinën një objekt që patjetër duhej ruajtur jo vetëm për historinë e saj, se kjo do ishte gjëja më pak e rëndësishme, në rast se godina vetë do ishte pa asnjë interes nga pikëpamja arkitektonike, por për formën e  saj”, tha Kreu i Ekzekutivit.

Ai shtoi se “vitet që erdhën e lanë këtë godinë mu në mes të Tiranës, në një proces degradimi ku asnjëherë nuk u gjet mënyra se si kjo godinë mund të shërbente jo më për qëllimin që u ndërtua, por për qëllime të tjera dhe me funksione të tjera. U provuan një sërë gjërash, që çuan në kjoskëzimin e brendshëm. U kthye si një lloj simbol i tokës së xanun, me një bashkëpunim mes vetë shtetit dhe aktorëve të ndryshëm të sipërmarrjes. U kthye në një vend ku veprimtaritë s’kishin lidhje me njëra-tjetrën, dhe ku hapësira qendrore mbeti gjithmonë një vend i shkretë”.

“Më pas lindi ideja irracionale për ta kthyer territor, në territorin e parlamentit të ri, dhe për ta fshirë komplet godinën nga faqja e dheut, gjë që shumë papritur krijoi një acarim tek brezi më i ri. Tek ai brez që ishte pak i lidhur ose aspak i lidhur me kohën e dikurshme dhe që sapo kishte filluar të hynte në botën dixhitale, aso kohe ende shumë e brishtë dhe rrjetet e sapo krijuara sociale nisën të përdoren në atë kohë për të thirrur njerëzit për protestë. Dhe protestuesit kundër shembjes së piramidës  ishin më të rinjtë, që s’kishin lidhje me Enver Hoxhën dhe me komunizmin dhe nuk protestonin për të ruajtur muzeun e Enver Hoxhës, por për të ruajtur një shenjë të një kujtese që nuk ishte kujtesa e tyre e drejtpërdrejtë, personale,  por ishte kujtesa kolektive e kësaj bashkësie që ruhet nga brezi në brez pikërisht nëpërmjet edhe këtyre ndërhyrjeve tejet të komplikuara për ta sjellë në një godinë të një kohe tjetër, ndërtuar komplet për qëllime të tjera, në një kohë të re dhe për të siguruar që godina të mos jetë thjeshtë një shprehje e përkohshme e një periudhe të caktuar historike, por të jetë shprehje e një ambicieje që mishëron të ardhmen përtej ideologjive, përtej përkatësive të çfarëdolloj”.

“Duke qenë se e kam pasur gjithmonë qysh se u bëra Kryetar i Bashkisë së Tiranës në mendje këtë godinë dhe sfidën për ta kthyer në një aset të rëndësishëm jo vetëm arkitektonik por edhe kulturor e social të Tiranës që është një sfidë shumë e ndërlikuar. Godina është shumë karakteristike dhe shumë e veçantë dhe hapësirat e saj nuk janë lehtësisht të përdorshme për çfarë do qoftë”, u shpreh më tej Rama.

Sipas tij, sfida më e madhe e këtij projekti nuk është aspekti arkitektonik, por është programi i godinës.

“Çfarë do përmbajë brenda, për çfarë do shërbejë. U bë një  tentativë absurde, qesharake, tragji-komike në fakt për historinë e kulturës dhe arkitekturës nga qeveria e mëparshme për ta kthyer në Teatër Kombëtar. U shpenzuan miliona dollarë, u bë një barbari gjurmët e së cilës janë ende aty u vodhën një pjesë e konsiderueshme e  pllakave, aksesorëve të mbetur aty, për të lënë pas një gërmadhë. Ishte dëshmia që vulosi faktin se godina nuk mund të shihej më si një hapësirë ku mund të kjoskëzohej në vazhdimësi nga idetë spontane apo nga qëllimet e lindura rastësisht. Besoj që e gjitha kjo kohë në kërkim të programit të kësaj godine ka qenë në fakt një kohë jo e humbur, por që na ka dhënë mundësinë që e ideja sot e bënë këtë një projekt shumë bindës e ambicioz dhe të sigurt për të ardhmen të merrte formë bashkë me zhvillimet e shpejta që ka sjellë koha digjitale”, tha Rama.

“Sot kjo godinë që mbart historinë e saj shumë ekstreme, është edhe foleja e gatshme për të pritur ekstremin tjetër, të hapësirës së lirisë përmes krijimit të kushteve për më të rinjtë që të hyjnë në konstilacionet e pafundme të universit digjital”, tha Rama.

Ai tha se projekti i plotëson të gjitha ato kushte për ti qëndruar kohës, shërbyer njerëzve dhe për t’i ndihmuar të gjithë që mos të harrojnë nga vijnë.

“Kjo godinë sot bëhet gati t’i shërbejë ekstremit të kundërt me të gjitha atë që përfaqësonte ai sistem dhe që donte Enver Hoxha duke i dhënë të rinjve lirinë e pakufishme të sfidimit të vetvetes dhe të kërkimit të të ardhmes në një botë që është ende e gjitha për t’u zbuluar”, shtoi Rama.

Piramida do të mikpresë 3 mijë të rinj, që do të studiojnë gjuhën e kodimit

Veliaj shprehu besimin se “kemi një mundësi të artë që Tirana, nëpërmjet këtij kampusi, të krijojë fizionominë e një epiqendre digjitale në Ballkan. Në fillim të tranzicionit, vitet ’90-2000, ishim vendi i call center-ave, por kemi gjithë potencialin të shkojmë një nivel më lart, të jemi vendi i data-center, i hapësirave ku të rinjtë e talentuar mund të paguhen më shumë dhe të fitojnë aftësi në robotikë, megatronikë, animacion, realitet virtual, kodim”.

Ai bëri të ditur se Piramida do të ketë 18 salla, ku të rinjtë mund të studiojnë IT, robotikë, dizajn, si dhe 14 klasa në natyrë. “Duam ta kthejmë në një ekosistem digjital, në një hapësirë ku të bëjmë jo thjesht mësim, por të kemi edhe start-upe; pra, një eko sistem ku mësojmë të rinjtë se si të krijojnë biznesin e tyre. Por, është një mundësi që kompani të teknologjisë të zënë hapësira këtu, për të pasur mundësi të testojnë produktet, ose të kenë kapacitete për të ftuar disa nga të rinjtë të bëjnë praktikat”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se Piramida do të mikpresë 3 mijë të rinj, që do të studiojnë gjuhën e kodimit. Ai zbuloi edhe bisedën e parë që kishte zhvilluar me kryeministrin Rama, kur mori detyrën në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Para 6 vitesh, në ditën time të parë në Bashki, në një bisedë që pata me kryeministrin e pyeta: Edi, cila është një nga ato gjërat që të ka ngelur peng, pa u bërë në 11 vitet e zhvillimit të Tiranës? Fjala e parë ishte Piramida. Por, Piramida nuk ka qenë vetëm peng i Edit, ka qenë peng i kujtdo që është rritur në këtë qytet, i kujtdo që ka rrëshqitur në Piramidë, i kujtdo që ka qenë pjesë e qytetit tonë dhe është rritur me Tiranën. Më në fund, pas disa vitesh, projektime, konceptime, gjetje fondesh, arritëm në këtë përfundim”, tha Veliaj.