ATSH/- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi sot se, “në vitin 2021 ekonomia do t’i rikthehet rritjes, pas vështirësive të mëdha që krijoi situata e COVID-19”.

Gjatë raportimit online në Komisionin e Ekonomisë Sejko tha se “tremujori i dytë i këtij viti, do të shënojë tkurrjen më të madhe të aktivitetit ekonomik në vend, ndërsa pritet përmirësim pozitiv në tremujorët e tretë dhe të katërt, për t’iu rikthyer rritjes në vitin 2021”.

“Ky skenar parashikon një normë inflacioni relativisht të qëndrueshme gjatë vitit 2020 dhe një rritje graduale të saj drejt objektivit në dy vitet pasuese. Në këtë skenar, pandemia do të lërë gjurmë të dukshme, por kalimtare, në ekonominë dhe financat e vendit. Mbi të gjitha, ajo nuk do të cenojë ekuilibrat ekonomikë e financiarë dhe trendet afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit”- deklaroi ai.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko u shpreh se ky realitet i ri ekonomik i krijuar nga pandemia globale Covid-19 kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të tregut. Në këtë drejtim, një rol primar në përballimin e situatës luan politika fiskale, e cila duhet të garantojë fondet e nevojshme për sistemin shëndetësor dhe të mundësojë ndihmën financiare për punonjësit e prekur. Këto masa do të ndikojnë në rritjen e nivelit të borxhit publik, e cila është një kosto e pranueshme për përballimin e këtij realiteti të ri. Banka e Shqipërisë, nga ana e saj, do të vijojë të ndjekë një politikë monetare lehtësuese, por pa ulur vigjilencën ndaj ruajtjes së treguesve të shëndetit financiar të sektorit bankar. Një rol të rëndësishëm do të luajë dhe sektori privat, i cili duhet të jetë më realist në planet e tij, por dhe më i kujdesshëm në administrimin e likuiditetit.