Sistemi COVAX pret të marrë 250 milionë doza vaksinash antiCOVID-19 të ofruara nga donatorët, gjatë 6-8 javëve të ardhshme, për të ndihmuar vendet më të varfra, njoftoi Organizata Botërore Shëndetësore (OBSH). COVAX deri më tani ka shpërndarë 152 milionë doza në 137 vende në nevojë.

Instituti Serum në Indi, një prodhues i madh i vaksinave AstraZeneca, fillimisht ishte menduar të luante një rol udhëheqës në shpërndarjen e vaksinave nën sistemin COVAX, por, për shkak të shpërthimit të pandemisë në atë vend, Nju-Delhi ka ndaluar eksportin e tyre, për të luftuar përhapjen e COVID-19 në territorin indian.

Kështu COVAX po varet gjithnjë e më shumë nga donacionet e vaksinave nga vendet më të pasura, që kanë blerë më shumë doza nga sa është e nevojshme.

OBSH denoncon rregullisht pabarazinë në aksesin ndaj vaksinimit midis popullatave të vendeve të varfra dhe vendeve të pasura.

Gati katër miliardë doza janë administruar në të paktën 216 vende dhe territore.

Në kombet e pasura, sipas kritereve të Bankës Botërore, ka qenë e mundur të injektohen deri në 96,7 doza për 100 banorë, por vetëm 1,6 doza për 100 banorë janë administruar në 29 vendet më të varfra