Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka publikuar mënyrën e aplikimit të biznesit, për të përfituar pagën e luftës, nga paketa e dytë e ndihmës financiare, në kushtet e masave ndaj COVID-19.

Sipas tatimeve, në bazë të vendimit “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe punonjësit e larguar nga puna si pasojë e COVID-19”, aplikimi do të kryhet nga subjektet, të cilët do të plotësojnë të dhënat e punonjësve të tyre, përfitues sipas kritereve të përcaktuar në vendimin e qeverisë që janë:

“Për të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë.

Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS deri në datën 10 prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 prill 2020.

Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë që në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë.

Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë. Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese”, citon njoftimi i tatimeve.

Për të dorëzuar formularin “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2”, tatimpaguesit të cilët plotësojnë kriteret e mësipërme, do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik në e-filing dhe do t’iu jepet mundësia të aplikojnë nëpërmjet kësaj llogarie duke filluar nga data 21 prill e në vijim. Formulari nr. 2 do të plotësohet me të dhënat e kërkuara vetëm 1 herë.

Sipas tatimeve: Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare do të kryhet nga subjekti i të punësuarit/ve dhe punonjësi/it, të cilët figurojnë në më tepër se në një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagesë.

Të dhënat e llogarisë bankare, bëjnë pjesë në të dhënat e detyrueshme për t’u plotësuar në Formularin e përfitimit të ndihmës financiare 2. Ato duhet të disponohen nga individët përfitues dhe duhet t’i vihen në dispozicion subjektit, përpara kryerjes së aplikimit elektronikisht në llogarinë e deklarimit elektronik.

Subjektet që do të plotësojnë kërkesën, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve përfitues, ku banka dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë të rëndësishme. Plotësimi jo i saktë i këtyre të dhënave bllokon procesin e kalimit të pagesës në llogarinë e individëve përfitues.

Individët, me status i vetëpunësuar, përfitues sipas vendimit të qeverisë, në plotësimin e Formularit për përfitimin e ndihmës financiare, nëse nuk disponojnë një llogari personale, mund të përdorin të dhënat e llogarisë bankare të hapur për qëllim të biznesit. Nëse nuk e disponojnë një llogari biznesi, do të duhet të paraqiten pranë një prej bankave të nivelit të dytë, për të bërë të mundur hapjen e një llogarie bankare personale apo biznesi.

Individët përfitues (punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar; të punësuarit në personat fizikë tregtarë; të punësuarit në personat juridikë), të cilët nuk disponojnë një llogari bankare aktive, duhet të paraqiten pranë një prej bankave të nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë, për të bërë të mundur hapjen e një llogarie bankare.

Subjektet me status i vetëpunësur, të cilët mund të jenë nën masa të mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore (bllokim llogarie bankare), duhet të hapin një llogari personale bankare, (e cila nuk mund të përdoret për qëllime të tjera), për të bërë të mundur përfitimin e ndihmës financiare.

Nuk përfitojnë ndihmë financiare sipas VKM: Individët e punësuar, të cilët për vitin 2019 kanë realizuar të ardhura bruto nga paga mbi 2.000.000 lekë. Punonjësit e institucioneve shtetërore si dhe të punësuarit në shoqëritë me kapital shtetëror. Organizatat jofitimprurëse.

“Individët e subjekteve me objekt veprimtarie: tregti të produkteve ushqimore, fruta-perime, aktivitetet farmaceutike. Gjithashtu, nuk përfitojnë edhe individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në këtë kategori subjektesh.

Individët e subjekteve të regjistruara si persona fizikë, të cilët ushtrojnë aktivitet sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, që lejohen të kryejnë aktivitetin sipas urdhrit/ve të MSHMS. Gjithashtu, nuk përfitojnë edhe individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në këtë kategori subjektesh.

Atsh