ATSH/- Nga paketa e parë e mbështetjes që akordoi qeveria në muajin mars për biznesin e vogël është paguar “paga e luftës” për 64 964 individë.
Ndërkohë për 65 078 individë është miratuar kërkesa. Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se për 63 344 punonjës është paguar edhe kësti i dytë.
Qeveria në kuadër të masave për të zbutur pasojat e COVID-19 miratoi për një periudhë 3 mujore “pagën e luftës” në masën 26 mijë lekë në muaj.
“Paga e luftës” u adresua kryesisht për biznesin familjar. Sipas Ministrisë së Financave, gjysma e atyre që e kanë përfituar ishin të deklaruar me pagë zero.
Përfitues të kësaj ndihme financiare janë të gjithë bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milion lekë në vit, që paguajnë tatim mbi fitimin (ose tatimin e thjeshtuar mbi fitimin).
Këtu përfshihen të vetpunësuarit, personat fizikë tregtarë dhe punonjësit e papaguar të familjes së tyre, si dhe personat juridikë./a.gjonaj/ /a.g/