ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot se çdo vit më shumë se 2 mijë të moshuar përfitojnë lentet falas, një shërbim i shtrirë tashmë jo vetëm në Tiranë, por edhe në spitale rajonale.

“Gjysh Bashkimi, është një ndër 775 të moshuarit që në 5 muajt e parë të vitit, kanë kryer me sukses ndërhyrjen në sy dhe vendosjen e lentes falas në QSUT”, tha ministrja.

Ajo theksoi se “që prej 2019, çdo vit, më shumë se 2 mijë të moshuar përfitojnë paketën e kataraktës falas në repartet e Okulistikës, jo vetëm në Tiranë, por edhe në spitale rajonale”.

Mbi 2000 qytetarë kanë përfituar çdo vit nga vendosja e lentës falas në spitalet publike në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Vlorë nga paketa e kataraktës.

Zgjerimi i shërbimeve shëndetësore falas ka ulur shpenzimet nga xhepat e qytetarëve. Më parë një ndërhyrje e tillë kushtonte rreth 35 mijë lekë të reja/lente, sot ndërhyrja dhe lentet janë falas. Ky është një hap përpara drejt mbulimit shëndetësor universal.