ATSH/ Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW) e rendit Shqipërinë në vendin e dytë në Ballkanin Perëndimor për normën më të lartë të shumës së vënë në dispozicion, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, në përgjigje të pasojave të shkaktuara nga infeksioni COVID-19 në ekonomi.
Në raportin e publikuar një ditë më parë, WIIW thotë se ndihma e deritanishme e akorduar nga qeveria shqiptare prej rreth 300 milionë dollarësh për pajisje mjekësore dhe mbështetje të personelit shëndetësor, mbështetjen e sektorit të turizmit, vendosjen e fondit të garancisë sovrane që mbështet kompanitë private të paguajnë pagat, operacionet humanitare në vazhdim dhe fondi prej 190 milionë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e çojnë në 3.3% të PBB-së fondin e përdorur për të adresuar pasojat e COVID-19.
Shqipëria lë pas Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, ndërsa është në të njëjtat nivele me Bosnjë-Hercegovinën.
Vlerën më të lartë në raport me PBB-në ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, e ka Serbia prej 7%.