Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini rikonfirmoi sot angazhimin e qeverisë për të bërë të mundur vaksinimin e popullsisë brenda skenarit prej 14 muajsh. Gjatë një prononcimi në medie, Tomini u shpreh se përgjatë 1 viti që kur u konfirmuan rastet e para të të prekurve nga Sars-Cov-2 ka pasur sfida të jashtëzakonshme, të cilat mbeten të tilla deri në vaksinimin masiv të popullatës.
“Sistemi shëndetësor pati një sfidë të madhe. Edhe vijimi do jetë i vështirë derisa të kemi një vaksinim masiv të popullatës. Duhet të jemi bashkë për ta përballur. Vështirësi do kemi deri në momentin e vaksinimit masiv të cilin e shohim me shumë optimizëm. Tentativat për vaksinim masiv kanë filluar që në 6-mujorin e parë të pandemisë, ardhja e një stoku për imunizim masiv është element i rëndësishëm. Shpresojmë që në afatin prej 14 muajsh të plotësojmë objektivin për të imunizuar 75-80% të popullatës”, tha Tomini.
Sa i përket spitaleve ajo tha se s’janë ezauruar ende kapacitetet.
“Nuk i kemi ezauruar kapacitetet. Strukturat janë në gatishmëri totale. Në javën e parë të marsit shihet një tendencë në ulje e rasteve. Deri tani kemi 79.3% të shtretërve në spitale të ezauruara”, tha ajo.