ATSH/- Administrata Tatimore i rikujton të gjithë tatimpaguesit, të cilët nuk kanë plotësuar ende kërkesën për përfitim të ndihmës financiare, për punonjësit e tyre, se afati i aplikimit online, pa penalitet, përfundon në datën 5 qershor 2020.

Në rast të moskryerjes së aplikimit, pas datës 5 qershor 2020, çdo subjekt që nuk ka plotësuar Kërkesën, për punonjësit e punësuar apo ish të punësuar, që plotësojnë kriteret për përfitim të ndihmës financiare, ndihmë e Qeverisë Shqiptare, do të dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë, në zbatim të Aktit Normativ “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, i ndryshuar.

Në një njoftim për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) bën të ditur se, “të gjithë tatimpaguesit të cilët i kanë trajtuar me pagë të plotë të punësuarit apo ish-të punësuarit e tyre, nuk do jenë subjekt i këtij penaliteti. Tatimpaguesi duhet që të plotësojë formularin e ankesës, bashkëlidhur këtij njoftimi, brenda datë 05 Qershor 2020, dhe ta ngarkojë atë në menunë ‘’Çështjet e Mia’’, në llogarinë në e-filing”.

“Brenda 30 ditëve nga data e komunikimit të penalitetit të vendosur, çdo subjekt i gjobitur do të ketë mundësi t’i paraqesë Administratës Tatimore, nëpërmjet llogarisë së deklarimit elektronik e-filing, shkaqet dhe/ose arsyet e mosaplikimit, shoqëruar me dokumentacion mbështetës që i argumenton ato.

Individëve përfitues sipas kritereve të vendimit të qeverisë, për të cilët punëdhënësi nuk do të kryejë aplikimin brenda datës 5 Qershor 2020, do t’iu jepet mundësia të plotësojnë të dhënat e tyre të llogarive bankare dhe do të vijohet menjëherë me kalimin në mënyrë automatike të masës së përfitimit”- njofton DPT. e.xh//a.a/