Në takim morën pjesë kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Klodian Kurushi dhe anëtarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Irena Plaku.

Nga ana e Komisionit Evropian morën pjesë Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore (DG ENEST), Isabella Torta, drejtuese ekipi në Sektorin e Sundimit të Ligjit në DG ENEST, Charlotte Garyga, zyrtare për Politikat në DG ENEST, si dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.

Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi për procesin e reformës në drejtësi dhe avancimin e mëtejshëm të standardeve të sistemit gjyqësor.

Në fokus të diskutimeve ishte përmbushja e objektivave të reformës në drejtësi, hapat e mëtejshëm për rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë.

Palët trajtuan çështje që lidhen me uljen e stokut të çështjeve gjyqësore, plotësimin e vakancave në sistemin gjyqësor, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, si elemente të rëndësishme për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së administrimit të drejtësisë.

Palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe riafirmuan angazhimin për vijimin e dialogut konstruktiv dhe mbështetjen e proceseve reformuese në sistemin gjyqësor shqiptar, në përputhje me standardet evropiane dhe objektivat e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i angazhuar për avancimin e reformave dhe garantimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe në shërbim të qytetarëve.

/m.m/r.e/a.f/