ATSH/- Qeveria Qendrore për vitin 2019 ka shpenzuar një fond investimesh në sektorin e ujësjellës kanalizimeve prej rreth 35 milionë euro, nga të cilat rreth 300 milionë lekë në mbështetje të reformës në sektor.

Donatorët e huaj gjatë vitit 2019 kanë investuar në total rreth 34 milionë euro, ku veçohen ato të financuara nga Banka Botërore dhe BEI për Durrësin, projekti në mbështetje të rrjetit hidrik të Tiranës financuar nga Qeveria italiane, si dhe programi i infrastrukturës bashkiake III dhe IV financuar nga KfW dhe SECO.

Kreu i Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani deklaroi sot gjatë paraqitjes së raportit vjetor në Kuvend, se totali prej rreth 70 milionë euro përfaqëson rreth 35% të nevojave të sektorit prej 200 milionë euro/vit, e shtrirë për një periudhë 25 vjeçare.

Kreu i ERRU-së, Ndriçim Shani theksoi se niveli i arkëtimeve kundrejt faturimeve gjatë vitit 2019 llogaritet 79 %.

“Ndër shoqëritë me nivele mjaft të ulëta të këtij treguesi (nën 60%) janë UK Kukës, UK Divjakë, UK Kavajë, UK Gjirokastër, UK Fier, UK Pustec, UK Roskovec, UK Elbasan. Shoqëritë UK Durrës dhe UK Vorë e justifikojnë uljen e këtij treguesi për shkak të tërmetit të fuqishëm të muajit nëntor. Raportohen në total rreth 24 350 lidhje të reja dhe një rritje e volumit të faturimit me rreth 668 mijë m3 ujë/vit”, tha Shani.

Po ashtu, ai theksoi se mbulimi me kanalizime është rritur me rreth 1%, krahasuar me vitin.

Sipas tij, ndikim në rritje të popullsisë së shërbyer dhe të numrit të klientëve me kanalizime kanë dhënë investimet e kryera nga buxheti i shtetit. /a.gjonaj//a.a/