ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, bëri të ditur se qeveria po punon për të garantuar standarde të njëjta transparence, meritokracie dhe stabiliteti në punësim edhe për punonjësit e administratës publike që nuk janë pjesë e shërbimit civil.

Në konferencën e sotme për shtyp, Pirdeni u shpreh se deri më tani fokusi ka qenë te punonjësit që rregullohen nga ligji për shërbimin civil, i cili, sipas saj, ofron garanci të forta për rekrutimin, zhvillimin e karrierës dhe përfundimin e marrëdhënieve të punës.

Ajo theksoi se synimi është që garanci të ngjashme të ofrohen edhe për punonjësit e institucioneve publike që aktualisht janë të punësuar mbi bazën e Kodit të Punës.

“Po marr si shembull strukturat spitalore apo institucionet e kujdesit social, ku një pjesë e punonjësve nuk janë staf mjekësor apo infermieror, por staf mbështetës. Ata punësohen sipas dispozitave të Kodit të Punës, i cili përcakton standardet minimale të marrëdhënieve të punës, si për sektorin publik, ashtu edhe për atë privat”, tha Pirdeni.

Ministrja Pirdeni u shpreh se “Kodi i Punës përcakton disa standarde minimale që janë të zbatueshme ndaj çdo punëdhënësi dhe punëmarrësi si në sektorin publik dhe atë privat. Ne duhet të kemi disa standarde të shtuara që garantojnë jo vetëm barazi, meritokraci në rekrutim, por edhe transparencë në mënyrën si si punësohet dikush në sektorin publik në raport me dikë që punësohet në sektorin privat”.

Sipas saj, ndryshimet e propozuara do të rrisin stabilitetin në institucionet publike dhe do të kufizojnë ndërhyrjet arbitrare në administratë, duke bërë më të vështirë largimin nga puna të punonjësve vetëm për shkak të ndryshimeve në drejtimin e institucioneve.

Pirdeni tha se në çdo vendimmarrje për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës duhet të merren në konsideratë përvoja, vjetërsia në punë, kontributi profesional dhe pasojat që sjell largimi i një punonjësi, në mënyrë që administrata të mbetet profesionale, e qëndrueshme dhe e mbrojtur nga ndikimet e pajustifikuara.

/k.s/j.p/