Kodi Penal i Shqipërisë ka një vakum ligjor lidhur me karantinën, ndryshe nga shumë vende të tjera të botës. Për të garantuar hapjen e jetës pas pandemisë, është shumë e nevojshme që të kemi nene të caktuara që penalizojnë shkelësit”, deklaroi sot Kreu i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja.
I pyetur për ndryshimet në Kodin Penal, në një intervistë televizive Manja u shpreh se, “nuk janë ndryshime në Kodin Penal, por janë plotësime të një boshllëku ligjor që kemi që nga viti 1995, kur ka hyrë në fuqi Kodi Penal. Kemi ndërhyrë plot 30 herë, por askush nuk është kujtuar për të pasur në Kodin Penal disa nene që marrin në mbrojtje jetën dhe shëndetin publik. Hartuesit e Kodit Penal të 1995 janë kujdesur të kenë ndëshkime për karantinën për kafshët, por ka një boshllëk në lidhje me mbrojtjen e jetës nga epidemitë. Meqë na ra halli tani, nuk do të thotë që të mos e bëjmë këtë plotësim, por t’i lëmë sërish harresës”.
I pyetur se pse bëhen ndryshime kaq të forta në Kodin Penal, kur mbi 99% e popullsisë ka zbatuar të gjitha masat, Manja tha se, “jam dakord që shqiptarët i kanë zbatuar masat, por dinamika e përhapjes së virusit na tregon se pikërisht kjo pakica e vogël e pandërgjegjshme, ndaj të cilës nuk japin efekt masat e ndërmarra deri më tani, lipset që për ta garantuar këtë hapjen graduale të jetës pas pandemisë në Shqipëri”.
Manja tha se, “është shumë e nevojshme që të kemi në Kodin Penal nene të caktuara, që penalizojnë veprime ose mosveprime të caktuara të kësaj pakice të pandërgjegjshme njerëzish, që rrezikojnë seriozisht përhapjen e sëmundjeve infektive dhe dëmtimin rëndë të jetës së shqiptarëve. Me këtë që po bëjmë po plotësojmë këtë vakum që kemi në Kodin Penal”.
I pyetur se cili vend perëndimor i ka bërë këto ndryshime, Manja tha se, “janë studiuar modelet e Italisë, Kroacisë, Danimarkës, Spanjës, Gjermanisë, Belgjikës, Austrisë, Hungarisë, Malit të Zi dhe Kosovës, që i ka bërë këto ndryshime në vitin 2018”.
“Edhe për modelet që iu jemi referuar, amendamentet janë dorëzuar nga kolegia, që është mjeke. Edhe me këto plotësime që do t’i bëjmë Kodit Penal të jeni i bindur se do jenë në harmoni me legjislacionin europian, ku ne duam të shkojmë. Jemi të hapur me çdo koment që mund të vijë nga Shoqëria Civile dhe cilido që do të pasurojë këtë nismë, së cilës do i shkojmë deri në fund”, theksoi Manja.
“Masat e dënimit variojnë nga gjobë deri në 10 vite burg, kur infektimi me dashje ka çuar deri në vdekje të personit, por modelet që kemi marrë në studim e kanë me masa penale”, shtoi Manja.
Manja tha se, “ne jemi të hapur për të riparë masat e dënimit dhe opozita është e ftuar për propozime. Në finale është momenti që secili të japë kontributin për t’u bërë gardian i jetës përballë kësaj gjëme që na ka rënë përsipër”.
/gj.mima//a.a/atsh