/ATSH/- Policisë së Shtetit i janë shtuar 500 djem dhe vajza, të cilët i kanë sjell energji dhe entuziazëm të ri organizatës së Policisë së Shtetit.

Në ceremoninë e zhvilluar këtë të enjte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu shprehet se mbi 3 mijë djem e vajza janë bërë pjesë e Policisë së Shtetit gjatë këtyre viteve, duke bërë që qytetarët të kenë një perceptim dhe vlerësim më pozitiv për Policinë.

“Sot është një ditë e veçantë për ju dhe për Policinë e Shtetit, pasi ju sot kurorëzoni përfundimin me sukses të Programit të Shkollimit në Kolegjin e Policisë dhe filloni rrugëtimin tuaj në këtë mision sa fisnik aq edhe të vështirë, ndërsa Policisë së Shtetit i bashkohet një ekip i ri, i trajnuar dhe shkolluar, i cili do t’i japë një impuls më shumë punës që po bëhet nga organizata e Policisë në luftën kundër krimit, si dhe do të rrisë performancën dhe cilësinë e shërbimit për qytetarët”,- thekson Veliu.

“Policia e Shtetit, vit pas viti i është nënshtruar një procesi të gjerë reformimi, duke filluar me shkollimin, pasi ne jemi të bindur se me një trupë policore të shkolluar dhe të trajnuar fitojmë besimin e qytetarëve duke iu ofruar një shërbim sa më cilësor, si dhe në ndryshime strukturore, të cilat i kemi përshtatur me nevojat që kanë qytetarët për prezencën e policisë në zonat ku ata banojnë. Këto dy komponentë të rëndësishëm përbëjë edhe termin “Policimi në Komunitet” që është dhe modeli më i përparuar dhe më i suksesshëm”,- sqaron Veliu.

“Vitet e fundit, falë vlerësimit, investimit dhe vëmendjes së shtuar të qeverisë e në mënyrë të veçantë të Kryeministrit të vendit z. Edi Rama, roli, kuptimi, pritshmëria dhe performanca e punonjësve të Policisë së Shtetit kanë ndryshuar tërësisht. Mbi 3 mijë djem e vajza janë bërë pjesë e Policisë së Shtetit gjatë këtyre viteve, duke bërë që qytetarët të kenë një perceptim dhe vlerësim më pozitiv për Policinë”,- vijon ai.

“Ndërkohë, angazhimi dhe vendosmëria e Policisë së Shtetit, sidomos dy vitet e fundit, për të luftuar krimin e organizuar dhe zhvillimi i dhjetëra operacioneve të përbashkëta me partnerët ka bërë që tashmë Policia e Shtetit të radhitet si e barabartë me policitë homologe, duke fituar besueshmëri te partnerët më strategjikë dhe agjencitë ligj-zbatuese brenda dhe jashtë vendit”,- vijon Veliu.

“Të jesh punonjës policie do të thotë të jesh pjesë e shoqërisë, t’i shërbesh asaj, t’u gjendesh pranë njerëzve në nevojë, të punosh ditë e natë me vetë sakrificë për t’iu siguruar atyre qetësi, siguri dhe normalitet.  Pavarësisht këtyre vështirësive, për të cilat shumë prej jush janë të vetëdijshëm, është e dukshme dhe e prekshme dëshira juaj për të qenë punonjës policie”,- tha Veliu.

“Entuziazmi dhe energjitë që ju keni demonstruar gjatë kësaj kohe në teori e praktikë, por dhe interesimi i shprehur qartazi i qindra aplikantëve që tashmë po aplikojnë për t’iu nënshtruar fazave të konkurrimit me dëshirën e madhe për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, janë garanci për suksesin e mëtejshëm të Policisë së Shtetit”,- shton ai.

Veliu u tha se “uniforma që ju keni veshur mbart në vetvete historinë, traditat dhe sakrificën e brezave të tërë të Policisë së Shtetit, që janë përballur pa kompromis me krimin duke mos kursyer edhe gjënë më të çmuar, jetën. Ky akt sublim i tyre është burim frymëzimi për ne, për ju e për brezat që do vijnë në Policinë e Shtetit. Kurrë mos u shmangni nga këto objektiva dhe kurrë mos e braktisni këtë mision kaq të rëndësishëm”,- nënvizoi Veliu./Vijon