TIRANË, 18 maj/ATSH/ 18 maj shënon Ditën Ndërkombëtare të Grave në Detari. Porti i Durrësit si vend anëtar dhe me të drejta të plota që prej vitit 1993 në Organizatën Ndërkombëtare të Detarisë (IMO), i bashkohet kësaj iniciative të rëndësishme për të promovuar rrugët në edukimin dhe trajnimin e grave në fushën e detarisë.

Autoriteti Portual Durrës sot përfaqësohet nga 104 zonja, 14 prej të cilave në pozicione drejtuese, 65 specialiste dhe 25 staf operativ.

“Gratë janë pjesë integrale dhe thelbësore e fuqisë punëtore detare, duke kontribuar në suksesin e linjave të transportit, porteve, shërbimeve në det dhe më tej”, thuhet në deklaratën e APD-së.

Shqipëria renditet si një nga vendet më të suksesshme në botë për përfshirjen e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në institucionet publike, si dhe është pjesë e 19% të vendeve që kanë një sistem për ndjekjen e investimeve me në fokus barazinë gjinore.

Me mirënjohjen për kontributin e tyre të palodhur Porti i Durrësit publikoi një kolazh me foto të zonjave në profile të ndryshme të transportit detar. /j.p/