ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot Kryenegociatorin për Zhvillimin e Negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Zef Mazi, si një diplomat me një histori disi të veçantë në suazën e historisë së diplomacisë shqiptare.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së prezantimit të Kryenegociatorit Mazi, Kryeministri Rama tha se “Zef Mazi ka shërbyer për shumë vite për shtetin shqiptar, por edhe për organizma të rëndësishme ndërkombëtare”.
“Zef Mazi është më shumë se një diplomat pasi falë kontributit në Agjencinë Botërore të Energjisë Bërthamore dhe formulimin e politikave afatgjata për një botë më të sigurt hyn në rrethin e atyre njerëzve që Shqipëria i ka dhe ka jo pak në botën e sotme. Në një farë mënyre përfaqëson të dy anët e një medalje të këtyre 30 viteve. Anën e medaljes që flet për shërbimin këtu në vend dhe për vendin dhe anën e medaljes që flet për vënien në dispozicion të kapaciteteve intelektuale dhe të eksperiencës në shërbim të një bote më të mirë jashtë vendit dhe brenda institucioneve me reputacion të madh ndërkombëtar”, – theksoi Rama.
Më tej Kryeministri Rama u shpreh se “nuk dua të zgjatem me biografinë e pasur të ambasadorit Mazi, i cili nuk e di a e ka të shënuar apo dëshiron t’ia kujtojmë në një moment të caktuar, është parë nga forcat politike si kandidat i mundshëm për të qenë President i Republikës sonë, gjë që besoj vlen të përmendet si një shembull i respektit që gëzon ambasadori horizontalisht në skenën politike nga të gjitha forcat e partitë që kanë qeverisur këtë vend”.
“Ky është një element i rëndësishëm për profilin e kryenegociatorit sepse ne jemi të vetëdijshëm se Kryenegociatori është një individ, figurë institucionale që duhet të ketë referencën e të gjitha palëve”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “kam parë me kuriozitet eksperiencat e vendeve të tjera, thjesht për të ndarë më ju disa fakte që janë mbase interesante edhe për ju, Serbia zgjodhi si kryenegociatore një politologe me një histori të gjatë pedagogjie dhe përvoje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Mali i Zi ia besoi këtë pozicion një eksperti të shkencave bujqësore me përvojë të madhe në hartimin e projekteve ndërkombëtare, Maqedonia e Veriut duket se do ia besojë këtë rol një aktivisti të shquar të shoqërisë civile dhe një juristi me përvojë ndërkombëtare. Më parë Kroacia, vendi që përfaqëson më së miri simbiozën ballkanike europiane zgjodhi një zv.ministër të Ekonomisë për të përfunduar negociata e veta shumë të suksesshme”, – nënvizoi Rama.
“Ne kemi preferuar të vëmë bastin tonë për të thënë një shprehje që mbase nuk është plotësisht e duhura, sepse kjo nuk është një ndeshje të cilës nuk i dihet fundi , kjo është një ndeshje që thjesht nuk i dihet kohëzgjatja dhe sfida jonë është të shkurtojmë sa më shumë të jetë e mundur kohën e kohëzgjatjes së kësaj ndeshje dhe është një ndeshje me të gjitha problemet dhe trashëgimitë që duhen adresuar me reforma në funksion të transformimit në një vend të BE-së”, – tha Rama.
Lidhur me procesin e integrimit, Rama tha se “ky proces është një proces ku palët nuk duhet të mjaftohen me shprehjen plateale të përkushtimit për Europën, por duhet të gjejnë forca, kurajo e vullnet për të ndërvepruar me njëra tjetrën përtej betejës së natyrshme të ditës dhe për fat të keq të konflikteve që prodhon dita në Shqipëri”.
“Nga ana tjetër së bashku me përfaqësuesit e mediave janë të ftuar edhe koordinatorët e rrjetit të integrimit sepse ky është një proces ndërinstitucional, ndërministror ku përfshihen të gjitha institucionet e vendit, ato qendrore dhe relevante dhe ku bëhet fjalë për të negociuar kontratën e madhe të vendit me BE-në në çdo fushë”, – theksoi ai.
Kryeministri Rama e konsideroi këtë një sfidë më vete dhe të madhe për Kryenegociatorin, që sipas tij, “nga një anë do të përfaqësojë ekipin tonë përballë palës tjetër, por nga ana tjetër duhet të krijojë edhe një fryme skuadre, një disiplinë skuadre, kushtet që koordinatorët t’i përkushtohen këtij procesi jo si një punë e dytë, pasi një pjesë e madhe e tyre janë zv.ministra dhe të tjerët janë në funksione të punës së përditshme”.
“Dua të vijë tek ajo që kam përsëritur kur bëhet fjalë për kushte, sepse shqiptarët duhet ta dijnë, natyrisht për propagandë politike për arsye taktike partiake, mund të recitohet kënga e kushteve 9 kushte, 15 kushte, 12 kushte. Në fakt me fillimin e këtij procesi kushtet nuk janë as 9, as 15, as 4 , janë mijëra, nuk e ekzagjeroj, sepse mijëra janë faqet e përafrimit dhe përputhjes së legjislacionit të dokumenteve të raportimit me plotësimin e këtyre kushteve. Mbi të gjitha ky proces nuk është më një proces shkruaj ligje, por është edhe një proces prodhimi i përditshëm për zbatimin e tyre”.- tha Rama./k.s/ /a.g/