TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave përcaktoi kriteret dhe procedurat për hapjen dhe mbylljen e institucioneve private të arsimit parauniversitar, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet në gjuhë të huaj.

Institucione të arsimit parauniversitar privat, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, janë institucionet për nivelet parashkollor, fillor, ulët dhe bazë dhe arsim i lartë.

Aplikimet për hapjen dhe mbylljen e institucioneve private të arsimit parauniversitar, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj kryhen në portalin qeveritar e-Albania, shoqëruar së bashku me dokumentacionin për çdo nivel arsimor.

Kriteret dhe dokumentacioni

Vendimi i qeverisë thotë se institucionet private të arsimit parauniversitar, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, hapen kur subjekti kërkues plotëson kriteret e parashikuara në këtë vendim. Në fazën e parë, aplikohet në portalin qeveritar e-Albania, duke plotësuar të gjitha të dhënat.

Në rast vlerësimi pozitiv të aplikimit të fazës së parë, nga ministria përgjegjëse për arsimin, dokumentacioni ngarkohet elektronikisht nga subjekti që aplikon. I gjithë ky dokumentacion ngarkohet në gjuhë të huaj dhe i përkthyer në shqip. Në rastet kur ky dokumentacion lëshohet në gjuhë të huaj, nga një institucion i huaj, ai duhet të legalizohet.

Kështu, subjektit i duhet të aplikojë në portalin qeveritar e-Albania deri në datën 15 mars, për vitin shkollor pasardhës, duke plotësuar të dhënat për hapjen e institucionit arsimor privat, për fazën e parë të aplikimit.

Ministria përgjegjëse për arsimin shqyrton aplikimin, brenda 30 ditëve nga data e aplikimit dhe njofton subjektin në formë elektronike për vlerësimin e aplikimit. Në rast vlerësimi pozitiv nga ministria përgjegjëse për arsimin, subjekti ngarkon elektronikisht, brenda 15 ditëve, dokumentacionin e parashikuar për fazën e dytë të aplikimit. Ministria përgjegjëse për arsimin shqyrton, brenda 30 ditëve dokumentacionin, duke kërkuar raport ekspertimi nga institucionet e varësisë të specializuara për vlerësimin e kurrikulave dhe nga Komiteti Shtetëror për Kultet, kur institucioni arsimor privat do të zhvillojë edhe lëndë fetare.

Verifikimi i përmbushjes së standardeve të infrastrukturës së institucionit arsimor privat, kryhet me kërkesë të ministrisë përgjegjëse për arsimin, nga një grup pune të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar. Grupi i punës përgatit një raport të detajuar vlerësimi, shoqëruar me rekomandimin për miratimin ose refuzimin e aplikimit.

Në përfundim të shqyrtimit, ministria përgjegjëse për arsimin pranon ose refuzon aplikimin. Nëse kërkesa refuzohet, subjekti nuk mund të aplikojë përsëri për atë vit shkollor, për hapjen e një institucioni arsimor privat të arsimit parauniversitar, në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj.

Në rast të vlerësimit pozitiv, ministri përgjegjës për arsimin i propozon Këshillit të Ministrave projektvendimin për hapjen e institucionit arsimor privat. Propozimi për hapjen e institucionit arsimor privat të arsimit parauniversitar, në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, për miratim nga Këshilli i Ministrave duhet të jetë jo më vonë se 3 muaj para fillimit të vitit shkollor.

Ndërsa mbyllja e institucionit të arsimit privat në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, brenda 90 ditëve nga data e aplikimit.

ATSH