Isuf Myzyri, kompozitor, Artist i Popullit, themelues i orkestrinës popullore, njihet si vjershëtar dhe këngëtar i shquar. Lindi në Elbasan në vitin 1881, nga një familje e varfër dhe për të mbështetur ata që në moshë shumë të re nisi punën si bahçevan e më pas si berber, zanate që i ushtroi deri në moshën 25 vjec. Që në rini i zgjohet dëshira dhe fillon e merret me këngën popullore. Pas pune, me miqtë e tij këndonte këngë të muzikës popullore dhe shquhej për zërin e ëmbël dhe veshin e tij të mprehtë muzikor. Shumë shpejt Isuf Myzyri do të braktiste zanatet e tij e do t’i përkushtohej tërësisht muzikës. Si autodidakt mëson instrumentin e violinës dhe nis këngët e para duke u bërë edhe autor i teksteve të tyre. Thonë se Isuf Myzyri ishte analfabet, por kjo nuk e pengoi aspak në krijimin e vargjeve të tij.
Në vitet e para të shekullit të XX “ Usta “ ( qyteti e quan usta, jo prej profesioneve që kishte por prej muzikës që këndonte) Isuf Myzyri në vitin 1905 krijoi orkestrën e tij popullore në Elbasan, të përbërë nga Thoma Prifti me klarinetë, Mehmet Balashi me lahutë, Arif Topalli me dajre, Musa Bebeti me mandoll, si dhe me instrumentë të tjerë si cyrl bishtgjatë, ndërkohë që vetë Isuf Myzyri i binte violinës dhe drejtonte vetë orkestrën. Orkestrina luante në sheshe, në dasma, në festa si dhe në pikat turistike të qytetit. Shumë shpejt orkestra krijoi repertorin e saj me këngë erotike, dhe historik – patriotike.
Isuf Myzyri në disa këngë i këndoi bektashinjve, sektit të cilit ai i përkiste. Duke qenë se vetë Isuf Myzyri u mor me zanatin e bërjes së qelesheve, të cilën e mësoi në Tiranë nga miku i tij Rexhep Murthi, orkestrina e tij ruajti traditën e kostumit kombëtar. “ Vetëm në harkun kohor prej 10 – të vjetësh, pikërisht në vitet 1929 – 1939 Isuf Myzyri kompozoi 16 këngë, nga të cilat ndër më të përmendurat janë “Ma mirë n’pyll, se n’qytet”, “Kur hyna n’port t’kalasë” “Në zabel të gjeta” “ Nji lulisht me trandafila” etj, thotë etnologu Thanas Meksi. Në fakt sipas disa dokumentave të ruajtura në Librin “ Enciklopedia e Elbasanit” thuhet se Isuf Myzyri është autori i 90 krijimeve poetike e muzikore, por që vetëm 21 prej krijimeve të tij njihen në ditët e sotme.
Pas viteve 30 – të Isuf Myzyri do të njihej jo vetëm nga qytetarë elbasanas, por edhe nga mbarë Shqipëria, duke shënuar edhe kulmin e karrierës së tij, këngët e tij cilësosheshin si perla të muzikës popullore. “ Ai këndonte dashurisë për vendin e tij elbasanit, natyrës së bukur, gocës elbasanase, traditës së qytetit, bujarisë etj. Këngët e tij u kënduan me shumë pasion nga qytete të shqipërisë së mesme. Ata u mbajtën gjallë nga këngëtarë të tjerë bashkëkohës të autorit, si Met Balashi, Arif Topalli, Maria Dhama, Vëllezërit Zena, Mustafa Mehja, Zina Zdrava, Suela Sadiku etj”, shton Meksi.
Ansambli i Këngëve dhe Valleve në Elbasan I krijuar ne 12 tetor 1979 mban emrin “Isuf Myzyri”. Këngët dhe muzika e Usta Isuf Myzyrit, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të traditës së këngës popullore.
Kanë kaluar rreth 140 vjet nga vdekja e tij dhe artisti i popullit vazhdon të kujtohet jo vetëm nga qytetarë të Elbasanit por nga mbarë shqipëria. Ai krijoi një fond të gjerë të këngës qytetare elbasanase të shekullit të XX, me vargje dhe melodi të krijuara nga ai vetë dhe të mbështetura në motivet e jetës së përditshme të kohës që jetoi. Ato janë bërë këngë që i këndojnë dashurisë dhe miqësisë kudo ku janë dhe jetojnë shqiptarët.
Isuf Myzyri, vdiq më 22 tetor të vitit 1956, në qytetin e tij Elbasan. Si njeri, si qytetar dhe artist, la mbresa të paharruara me veprën e tij. Krijimtaria dhe këngët e kanë bërë atë të pavdekshëm. Në vitin 1956, me rastin e 76-vjetorit të lindjes, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoron me “Urdhrin e Punës së Klasit të Dytë”. 22 vjet më vonë, më 7 qershor të vitit 1978, i jepet titulli më i lartë, “Artist i Popullit”. Isuf Myzyri është shpallur “Qytetar Nderi i Elbasanit”. Për nder të tij, pranë Sheshit “1 Maji”, e përuruar më 14 mars të vitit 2002, me rastin e 121 vjetorit të lindjes së Usta Isuf Myzyrit Bashkia e Elbasanit ngriti një monument kulture.
Figura e bronxtë është paraqitur me violinë në dorë dhe poshtë faqes së majtë duke u përulur përballë publikut i cili e duartroket. Dora e djathtë është paraqitur në pozicion gjysmë të lëshuar me harkun e violinës përpara, me idenë se këngëtari e ka mbaruar këngën dhe u kthen mirënjohje bashkëqytetarëve të cilët kënduan dhe shpërndanë këngën e tij në të gjithë krahinat e shqipërisë dhe në diasporë.
Nga: Miranda Sadiku