ATSH/- Sektori financiar dhe ai i sigurimeve ka njohur një rritje të konsiderueshme në vite, duke kaluar nga 1.7% të GDP në vitin 2012, në mesatarisht 10% në 3 vitet e fundit.
Ndaj dhe përmirësimi i kuadrit ligjor të tregut të kapitaleve përbën domosdoshmëri për t´íu përgjigjur më së miri zhvillimeve të këtij tregu e për të nxitur atë më tej.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot në senacën plenare të Kuvendit, se miratimi i këtij projektligji plotëson më tej kuadrin rregullator të sektorit financiar duke ofruar mundësi të reja zhvillimi.
“Domosdoshmëria e këtij projektligji lidhet ngushtë edhe me procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat evropiane”, tha ajo.
Sipas Denajt, si rezultat edhe ky projektligj është hartuar në përputhje me direktivat dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian në fushën e tregut të kapitaleve.
P/ligji synon sigurimin e mundësive të reja të financimit për biznesin shqiptar, akumulimin e kursimeve të qytetarëve nëpërmjet alternativave të reja të investimit, zgjerimin e bazës së investitorit, nxitjen e investitorëvë të huaj si dhe sigurimin e larmishmërisë së instrumenteve financiare./a.gjonaj/j.p/