TIRANË, 7 korrik /ATSH – I. Vata/ – Në ambientet e jashtme të Akademisë së Shkencave është promovuar libri studimor i akademikëve Anastas Angjeli dhe Adrian Civi “Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit”.

Në fjalën e tij, Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi tha se çdo përurim (promovim) libri përbën një ngjarje të veçantë, një sfidë të këndshme si për autorët edhe për lexuesit e studiuesit, të parët presin se si do të përcillet vepra e tyre, të dytët, kureshtar të shohin kontributet e reja të autorëve.

“Por këtë promovim e bën të veçantë vetë koha në të cilën bëhet dhe tema të cilën ai trajton. Prej disa muajsh Bota ndodhet e mbërthyer në një nga krizat shëndetësore më të komplikuara e më sfidante. Njerëzimi po përpiqet të përballojë me sa më pak pasoja pandeminë e Covid-19. Ndër shekuj e vite janë kapërcyer e përjetuar me dhjetëra ngjarje të ngjashme. Por gjatë tyre njerëzimi i është nënshtruar fatit, ndërsa sot kërkon ta sfidojë atë në sajë të nivelit të lartë të zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë. Prandaj dhe njerëzimi si rrallë herë i ka kthyer sytë drejt shkencës evropiane të dijes”, tha ai.

Gjinushi thekson se COVID-19 sfidoi njerëzimin e njerëzimi po sfidon Covid-19. Për këtë institucionet kërkimore shkencore, qeveritë kërkojnë të zgjidhin tri çështje: Frenimi e kontrollimi i përhapjes së pandemive deri në njohje të së panjohurës. Luftimi final i Covid nëpërmjet vaksinimeve e terapive efektive. Ulja e pasojave ekonomike e kapërcimi sa më shpejt i krizës, pasi edhe ekonomia vret: vret nëpërmjet thellimit të varfërisë, dobësimit të kapaciteteve spitalore, mungesës së financave për testimet masive e vaksinimin. Këto çështje u shtruan edhe para nesh si ndaj qeverive edhe ndaj institucioneve të arsimit të lartë dhe të shkencës dhe të vetë ASH”.

“Ne, si ASH na takoi t’i nënshtrohemi këtyre sprove në fillimet e zbatimit të reformës së re. Siç dihet pranë ASH sapo janë ngritur njësitë e kërkimit dhe Komisionet.  Dhe menjëherë atyre iu desh të përballen me problemet komplekse të krizës. Noti mësohet në ujë. Ne na u desh ta mësonim në stuhi. Dhe sot vlerësojmë se kjo përvojë qe e suksesshme. Se njësitë ditën t’i përgjigjen sfidës shëndetësore, parashikimeve matematikore, secili sipas fushës. Po me atë përgjegjësi ishte dhe është edhe angazhimi i anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë”, tha ai.

ATSH