Kandidatja e Partisë Socialiste në Tiranë, inxhinierja e njohur Luljeta Bozo tha sot se zgjodhi të kandidojë për Partinë Socialiste, sepse është parti progresiste, me vizion, që bën ato që premton dhe se “nuk ka bërë vaki që të mos ketë mbajtur premtimet”.
Në fjalën e saj në prezantimin e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Bozo ka zbuluar detaje të reja se pse pranoi të futet në politikë, ku një rol të rëndësishëm sipas saj pati edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Bozo theksoi se PS është një parti progresiste e me vizion dhe ka treguar se di të mbajë premtimet.
“Të vija në politikë nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mendje. Ftesa më erdhi nga Rama dhe Lali Eri më hoqi disa pasiguri, dhe duke parë interesin e njerëzve të njohur dhe të panjohur, sidomos pas tërmetit, unë e pranova ftesën në ketë moshë që jam. Zgjodha PS, sepse PS është parti progresiste, me vizion, që bën ato që premton. Nuk ka bërë vaki që të mos ketë mbajtur premtimet, dhe duhet patur parasysh se në këtë periudhë pati dy ngjarje të vështira, tërmeti dhe pandemia”, – theksoi Bozo.
Kandidatja Bozo u shpreh se, “njerëzit të mos harrojnë ku e mori PS në 2013 dhe çfarë reformash të pabesueshme bëri. Prandaj duhet të marrë mandatin e tretë. Qeveria e tregoi veten këto 15 muaj”.
“Ne duam ta kemi shtëpinë brenda 24 orëve, ndërsa kemi Italinë e 7 më e fuqishmeve në botë dhe ka 15 vjet që nuk po i strehon. Është në të mirën e të gjithëve të fitojë PS”, tha Bozo.