Kryeministri Edi Rama u shpreh se, sot punësimi i mësuesve dhe hyrja e fëmijëve në universitete kryhet sipas meritës, me procedura transparente, përmes sistemit dixhital që kemi ngritur ne, por ata duan ta kthejnë prapë përmbys atë sistem, që mezi e ngritëm, dhe të fillojë prapë historia e mikut, shokut dhe lekut, tani që ky proces është stabilizuar në rrugën e duhur.
Gjatë Këndit të Fjalës në Shirokë, Kryeministri u ndal te pranimet në universitete.
“Duan të kthejnë prapë kohën kur në universitet nuk e fusje dot fëmijën tek dega që meritonte, sepse tek ajo degë donin të futeshin fëmijët e ministrave, biznesmenëve dhe e parakalonin fëmijën tënd, që e kishte mbiemrin të panjohur. Ndërkohë që ti nuk kishe mundësi për të paguar që të futeshe në universitet. Këtë kohë do?” – pyeti ai qytetarët.
Se sot, theksoi Rama, nuk e diskuton njeri më, “sepse nuk ka një ankesë të vetme, kur bëhen hyrjet në universitet, sepse hyrjet në universitet sot janë sipas meritës”.
“Vjen fëmija e çobanit në mal, me rezultatet që ka dhe del i pari dhe shkon në fakultetin më të kërkuar, dhe nuk e paragjykon njeri, dhe nuk e ndalon dot, asnjë lloj ndërhyrjeje nuk ia heq dot atij vendin, sepse janë të gjitha dixhitale, janë të gjitha transparente, çdo gjë lë gjurmë dhe nuk futesh dot në sistem. Ata duan ta kthejnë përmbys këtë”, theksoi Rama. /j.p/r.e/