TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “përtej simbolikës ky takim dyditor vjen edhe me vetëdijen e plotë se në punimet e samitit, të cilat zhvillohen intensivisht jashtë këtyre seancave të mëdha plenare na është besuar mundësia që të komunikojmë së bashku për të shkruar një tjetër faqe të re për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Në fjalën e tij në Samitin e III të Diasporës, Rama tha se “samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike përtej të gjitha përkatësive krahinore edhe vendndodhjes së secilit si shqiptarë, që kanë diçka për të thënë e për të dhënë për mënyrën sesi duhet të qasemi sfidave të botës ku jetojmë, e cila pa diskutim ndikon vendet ku ne jemi dhe njëkohësisht si të bashkojmë më mirë forcat për t’ia dalë në realizimin e ambicieve legjitime dhe objektivave të përbashkëta”.

Patjetër, tha Rama, nuk mund ta lë pa përmendur se ky samit ndodh pak ditë pasi njëshat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut së bashku në një skuadër jo vetëm e çuan Shqipërinë në Europë në kuptimin e plotë të fjalës, por edhe na ritreguan edhe njëherë se çfarë mund të bëjmë kur bashkojmë talentet, bashkojmë forcat dhe mbi të gjitha kemi një strategji, një qëllim për të fituar.

Sepse, vijoi Rama, së bashku asnjë objektiv sado ambicioz të jetë nuk është i arritshëm, asnjë ëndërr nuk është e pamundur nëse ne jemi të vendosur që të bëjmë të pamundurën tonë për ta realizuar atë ëndërr.

Kryeministri Rama u shpreh se “nëse ka një mësim të madh që të gjithë mund të marrim në të gjitha nivelet individualisht apo kolektivisht nga të gjitha ata emra që na bëjnë ne krenarë si shqiptarë sepse përmenden me shumë admirim e shumë respekt se sa bota jonë e vogël, është mësimi se të gjithë ata kanë pasur një ëndërr shumë më të madhe se sa çfarë mundësitë e tyre mund t’ua këshillonin dhe e kanë bërë realitet”.

“Mira Murati, Dua Lipa, Mira Mezini, Ermonela Felaj, Anri Salaj, Ria Ora, Altin Kadare, Igli Tare, Lorik Cana etj, janë emra të cilët kanë rrugë të ndryshme dhe i kanë arritur në maja të ndryshme të botës, por të përbashkët kanë fuqinë për ti shkuar deri në fund me çdo çmim realizmit të ëndrrës së tyre. Këta janë ata që ne njohim po sa janë të panjohurit që në jetën e tyre kanë bërë të mundur atë që mundësitë e tyre nuk ia këshillonin ta kërkonin se ishte e pamundur”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “nëse ka një mësim nga suksesi i shqiptarëve në diasporë, është mësimi se asnjë ëndërr sado e madhe kur njerëzit e shohin me sy hapur nuk është e paarritshme përderisa e shohin, por sa janë të gatshëm ta synojnë ta arrijnë dhe të paguajnë të gjithë kostot e asaj përpjekjeje, te ngrihen nga gjitha rrëzimit, t’i rezistojnë gjitha lodhjeve dhe zhgënjimeve në atë rrugë”.

/k.s/