Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim në Bazën Ajrore të Farkës me zjarrfikësit dhe trupat e Emergjencave Civile, lidhur me sfidës e riskut të zjarreve nga temperaturat e larta.
Duke sjellë në vëmendje dëmet nga zjarret në Francë dhe Spanjë, Rama theksoi se “Shqipëria është shumë më e vogël dhe nuk ka luksin të humbasi asnjë hektar”.
Kryeministri theksoi se autoritetet në vend kanë bërë përgatitjet e duhura për t’u përballur me zjarret dhe “ky sezon do të jetë një provë për çfarë jemi përpjekur të përmirësojmë”.
“Gjithçka që kemi bërë këtë vit ka qenë përgatitja. Është njësoj si një skuadër që përgatitet për kampionatin botëror në verë duke u stërvitur gjatë gjithë vitit. Ky sezon do të jetë një provë për çfarë jemi përpjekur të organizojmë për të qenë një trup i vetëm pavarësisht se në këtë ushtrim bashkohen trupa të ndryshme nga pushteti qendror te pushteti vendor”, tha ai.
Duke u ndalur te investimet, Kryeministri theksoi se sot kemi në dispozicion kapacitetet teknologjike më të mëdha që kemi pasur ndonjëherë.
“Me katër helikopterë të gatshëm të cilët në çdo moment nevoje mund të bëhen gjashtë, sepse helikopterët operacional janë nëntë por kanë edhe misione të tjera, si misionet e shpëtimit, misionet për shëndetin. Ndërkohë që kemi mbyllur procedurën për tre avionë të cilët do të vijnë në fund të vitit”, theksoi Rama.
Rama informoi se ka një proces të dakordësuar që në momentin e një nevoje të veçantë të kemi në dispozicion edhe avionë që vijnë nga ajo bazë ku po përgatiten avionët e rinj, që do të merren në fund të këtij viti, pasi gjithçka ka përfunduar si procedurë.
/a.f/



























