Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në turin e takimeve falënderuese pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, në Kukës, tha se “jemi mbledhur për të falënderuar fitoren e dy kandidatëve tanë për kryetar të bashkisë Kukës dhe Tropojë, por kemi rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit që vendos PS forcë të parë të vendit”.

“Është e rëndësishme të kuptojmë se kjo fitore është përgjegjësi dhe të mos i japim vetes vetëkënaqësi. Në këtë fitore të madhe edhe Kukësin, edhe Tropojën i llogarisja të diskutueshme, pasi më dukej e vështirë, megjithatë nga marsi, në prill sondazhet filluan të ndryshojnë dhe treguesit ishin në trend rritës për PS”, tha Rama.

Rama tha se kjo është një fitore bindëse, teksa iu përgjigj komenteve për pjesëmarrje të ulët në votime.

“Ishte mbi 50 % pjesëmarrja në votime dhe madje shkonte në 60 e më shumë në disa zona të tjera. Kjo sepse organizimi ka qenë shumë i mirë, kanë punuar patronazhistët dhe aktivistët, të cilët i falënderoj, dhe ata janë bërthama e re e jona, teksa janë bashkuar të gjitha këto forca dhe është arritur një rezultat pozitiv”, deklaroi Rama.

Një rol në rezultat, sipas tij, ka luajtur edhe një lëvizje që ka ndodhur djathtas, sepse edhe ata që janë të djathtë, duke qenë se ishin zgjedhje lokale kanë menduar kush do bënte më shumë për komunitetin, edhe pse nuk donin të votonin PS.

“Nuk ka qenë e vështirë t’i bindnim, sepse kandidatët kanë qenë jo socialistë tipikë, për ta thënë butë, sepse kemi pasur edhe demokratë. Ka fituar logjika të fitojmë për të vijuar punën. Një pjesë tjetër nuk dolën në votime, dhe unë i falënderoj”, tha Rama.

Rama u shpreh se kjo fitore është një sfidë e madhe e PS-së, veçanërisht për Tropojën, Shkodrën, Kukësin e Kamzën, sfida për t’i çuar përpara dhe ne, tha ai, “duhet t’i përgjigjemi dhe kjo nuk është e lehtë”.

“Në Shqipëri me mundësitë tona është e pamundur t’i plotësojmë të gjitha. Por, le ta fillojmë me njerëzillëkun në raport me qytetarët. Pika një e qeverisjes vendore do të jetë njerëzillëku, që do të thotë që njerëzit do të dëgjohen dhe do t’iu qahen hallet që të ndihen pjesë e së njëjtës familje. Pika dy do të jetë përmirësimi i cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve”, tha ai.

Rama theksoi se, “ne e kemi zgjidhur një pjesë të madhe të kësaj çështje me e-Albanian. 95 % e shërbimeve tashmë ofrohen përmes kësaj platforme, por ka ende punë për t’u bërë. Gjithashtu, një çështje që do t’i japim nxitje është ajo me pronën në fshat, ku Ligji 7501 i futi në sherr. Ne bëmë ligjin në vitin 2020 që i bën pronarë me letra në bazë të dakordësisë mes njerëzve. Me këtë këtë hap të ri të pronësisë mbi tokën në fshat hedhim një hap të rëndësishëm. Ne do të krijojmë taskforcë të Kryeministrisë për të ndihmuar bashkitë në këtë proces, që do të rrisë vlerën e pronës dhe të investimeve. Këtu në këtë rajon procesi i pronësisë mbi tokën do të nxisë investime edhe nga emigracioni”.