Gjatë prezantimit të projekt-ideve finaliste për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, Rama bëri një bilanc të konkurseve ndërkombëtare të zhvilluara nga Korporata Shqiptare e Investimeve.

“Bashkë me këtë konkurs jemi në 15 konkurse të realizuara ndërkombëtare, kemi 3 konkurse që janë duke u përgatitur. Të gjitha konkurset janë të standardeve më të larta ndërkombëtare jo vetëm për nga pjesëmarrja e arkitektëve, ndër më të mirënjohurit e botës së sotme dhe as vetëm për nga përbërja e jurive ndërkombëtare, por edhe për nga procedurat e ndjekura”, u shpreh Rama.

Sipas tij, aktualisht janë 12 kontrata të lidhura dhe 7 kontrata të tjera në proces, ndërsa janë 3 masterplane dhe 20 objekte publike në zhvillim.

“Gjithë thelbi i aktivitetit të Korporatës Shqiptare të Investimeve është që duke vënë në dispozicion prona shtetërore të degraduara ose në nevojë për zhvillim të marrë mbrapsht përfitueshmërinë e lartë financiare dhe nga pikëpamja e hapësirës në funksion të publikut, në funksion të nevojave të institucioneve publike”, deklaroi Rama.

“Përfitueshmëria e KISH nga kjo fazë e parë e punës së saj është e kuantifikuar bazuar në kontratat e lidhura me vlerë 523 milionë euro, pra mbi gjysmë miliard euro janë të kuantifikuara në përfitimin direkt të shtetit nga ky aktivitet, ndërkohë që përfitueshmëria ekonomike e kontraktuar është mbi 1 miliard euro”, tha Rama.

Ai shtoi se sipërfaqja e tokës së vënë në dispozicion deri tani është 46,700 m2, ndërsa sipërfaqja e përfituar për nevojat e shtetit dhe institucioneve publike arrin në 267 mijë m2.

“Patjetër janë 355 mijë m2 të përfituara nga sipërmarrja, pra është një partneritet me sipërmarrjen ku shteti adreson nevojat e veta”, u shpreh Rama. /j.p/