Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në konferencën vjetore “State of the Union” organizuar nga Instituti i Universitetit Europian në Firence, Itali se “Bashkimi Europian nuk është një nga zgjedhjet për ne, por është zgjedhja e vetme dhe fundore”.

“Është absolutisht e vërtetë se në Shqipëri pak rëndësi ka kush humb apo fiton në zgjedhje kur bëhet fjalë për BE, sepse opinioni publik është shumë pro BE-së dhe shumë properëndimor. Nuk ka asnjë dyshim se integrimi në BE nuk është një nga zgjedhjet për ne, por është zgjedhja e vetme dhe fundore për ne. Është e vërtetë për disa vende të tjera në rajon që ka edhe aktorë të tjerë me ndikim mjaft të rëndësishëm, por kjo nuk është e vërtetë me Shqipërinë, pasi me të gjithë të tjerët ne kemi marrëdhënie të llojeve të ndryshme, por asnjë prej tyre nuk është zëvendësuese e mundshme e BE-së si objektiv, si destinacioni, si partneri ynë. Kështu që po, mendoj se ka shumë çështje me të cilat duhet të merremi gjatë gjithë kësaj kohe”, tha Rama.

Reformat i bëjmë për të ardhmen tonë

I pyetur mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe luftën kundër krimit të organizuar, Rama tha se “mendoj se pikë së pari na duhet të vlerësojmë se kush është burimi më i kualifikuar për të folur objektivisht për reformat dhe rezultatet tona”.

“Mendoj se askush, askund në Europë nuk është më i mirë se sa Komisioni Europian për të dhënë objektivisht mbështetjen me fakte dhe të mbështetur në një monitorim mjaft rigoroz të gjithë procesit për të thënë se ku jemi. Kemi mësuar në mënyrën më të vështirë se pavarësisht gjithçkaje ka dy nivele vlerësimi, njëri më teknik pra Komisioni që ka një delegacion të tërë me staf në Shqipëri që ndjek 24 orë në 7 ditë të javës gjithë ecurinë dhe një nivel tjetër më politik, më subjektiv. Aty ngecemi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “e rëndësishme për ne është që të vazhdojmë të bëjmë atë që po bëjmë se nuk është se na duhet ta bëjmë këtë bazuar në atë që njerëzit na kërkojnë në Bruksel etj, por na duhet t’i bëjmë për fëmijët dhe të ardhmen tonë”.

“Këto reforma janë në të mirë të vendit dhe ne na duhet të kemi durim dhe jemi mjaft të duruar derisa vlerësimi të bëhet edhe në nivel vendimmarrës të Këshillit, sepse ne e dimë mjaft mirë që disa vende janë gjithmonë e më shumë influencuese për këtë vendim. Nuk lidhet me atë që ti bën. Kjo është e rëndësishme por edhe ajo që ata kanë nevojë në atë moment. Na është dashur të përballemi disa herë. Asnjë gjë nuk na habit, mund të bëjmë gjithçka të nevojshme dhe të mbetemi pezull. E dimë që duhet të bëjmë punën tonë. Përtej kësaj nuk kemi mundësi të ndryshojmë gjëra. Nëse një vend ka zgjedhje, apo një vend tjetër do të bëj një deklaratë për zgjerimin, t’i bësh të gjitha palët të jenë njëzëri është gjithmonë e më tepër e vështirë”, tha Rama.

Rama: Europa për ne është një fe, ka të njëjtën vlerë sot që ka pasur kur etërit themelues e parafytyruan

Kryeministri Rama u pyet edhe në raport me marrëdhënien me Turqinë dhe bashkëpunimin rajonal.

Rama tha se “ndonjëherë është e mundimshme që ta bësh të qartë sepse ka opinione të ndryshme që vijnë nga jashtë lidhur me mënyrën si t’i qasemi Europës”.

“Për ne Europa nuk është alternativë ndaj asgjëje, Europa për ne është një fe, është vendi që ka të njëjtën vlerë sot që ka pasur kur etërit themelues e parafytyruan. Ndoshta jemi naiv, jemi si të gjithë ata që përpara se të martohen janë kaq entuziastë për këtë dhe nuk duan të dëgjojnë përvojat alternative të martesës, por kështu është. Ne nuk shohim asnjë faktor e aktor si një alternativë kundrejt Europës. Për ne procesi i integrimit është një instrument fantastik për të modernizuar vendin tonë dhe për ta bërë Shqipërinë një vend të mirëfilltë europian, i gatshëm për t’u bërë anëtar i BE-së. Por pavarësisht nëse është apo jo anëtar, të jetë një shtet europian”, tha Rama.

“Besoj fort dhe kjo është pikëpamja e përulur e Kryeministrit të Shqipërisë të vogël, por kam një mendim të fortë se Europa ka nevojë për ne, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor, aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në. Saktësisht për të njëjtat qëllime që disa aktorë bëjnë avokatinë e së kundërtës, qëllimin e një unioni më integral, të sigurt e të siguruar. Nuk është e qartë për mua se si të vihet në diskutim kjo gjë. Ne rrethohemi nga kufijtë europianë. Ne jemi brenda Europës. Si mund të ketë një  hapësirë fqinjësie dhe ta lësh si një zonë të mundshme gri ku të tjera interesa e aktorë mund të ndërhyjnë? Është shumë e qartë se alternativa e integrimit të plotë është shumë më e sigurt se çfarëdolloj alternative bashkëpunimi”, shtoi Rama.

Duhet dialog i hapur e përfshirës kur bëhet fjalë për konfliktet në Ballkanin Perëndimor

Rama tha po ashtu se “politika ka shumë të bëjë me semantikën”.

Nuk tingëllon mirë, tha ai, “kur disa vende anëtare të Bashkimit Europian diskutojnë të ardhmen e Europës, jo të Bashkimit Europian, por të Europës dhe nuk marrin parasysh tërësisht një pjesë të Europës që është Ballkani Perëndimor”.

“E më duhet të them që diskutimet produktive për të ardhmen e Europës, edhe njëherë të Europës, jo të Bashkimit Europian, se nëse diskutohet e ardhmja e Bashkimit Europian u takon atyre që të hapën apo jo ndaj të tjerëve, por për sa i përket Europës, diskutimet produktive do të nënkuptonin absolutisht përfshirjen jo vetëm të Ballkanit Perëndimor, por edhe përfshirjen e Turqisë, për të zhvilluar një diskutim të hapur, i cili do të çojë në përfundime që më pas, Bashkimi Europian do t’i marrë parasysh, të tjerë do t’i marrin parasysh dhe do t’i çojnë gjërat në një nivel tjetër”, tha Rama.

Mendoj, vijoi ai, “që ka shumë nevojë për dialog të hapur, për debat të hapur e përfshirës edhe kur bëhet fjalë për konfliktet në Ballkanin Perëndimor, sepse pa hapur debate mirëfilli e pa përfshirë në mënyrë të hapur, të drejtpërdrejtë, shqeto, të gjithë aktorët, atëherë rreziku është që të gjithë do të hasin pengesa dhe do të preferojmë gjithnjë e më tepër status quo dhe jo të bëjmë ndryshime”.

“Pra, është absolutisht e nevojshme që të ketë përfshirje qysh në fillesë, të gjithë duhet të jenë pjesë, pavarësisht se janë apo jo tërësisht dakord me hipotezat përfundimtare”, tha Rama.

Shqipëria nuk është gati për të qenë anëtare e BE-së, por nuk mund të shtyhet fillimi i punës reale me negociatat

“E dini, në lidhje me të gjithë atë çka po përjetojmë, është një shaka e freskët për europesimizmin/optimizmin në Shqipëri. Eurooptimistët thonë që Turqia do të bëhet anëtare në presidencën shqiptare, ndërkohë që europesimistët thonë që Shqipëria do bëhet anëtare kur të ketë presidencën Turqia”, tha Rama.

Unë mendoj, vijoi ai, “se anëtarësimi është një fjalë e madhe dhe nëse do më pyesnit sot, a është Shqipëria gati për të qenë anëtare e Bashkimit Europian, unë do thosha jo, nuk jemi gati për të qenë anëtare të Bashkimit Europian, por ajo çka nuk kuptoj është shtyrja e shtyrja e fillimit të punës reale me negociatat, pasi është marrë vendimi në vitin 2018 për t’i çelur këto negociata, pasi kjo është puna reale për të cilën ka nevojë vendi”.

“Pra, kur bëhet fjalë për ta pranuar apo jo një anëtar të ri, pikë së pari, kjo do kërkojë kohë dhe pikë së dyti, miqtë tanë europianë mund të mbështeten tek modeli turk dhe të thonë “jo, prisni se ne akoma nuk jemi gati”. Por t’i mbash vendet në këtë lloj pozicioni, në këtë rast Shqipërinë, t’ i thuash jo e ne e dimë shumë mirë pse thonë jo, sepse disa vende kanë disa probleme të tjera dhe shto ujë e shto miell, pra, duhet të bëni këtë, duhet të bëni këtë tjetrën, duhet të bëni edhe këtë tjetrën, kjo nuk ka kuptim. Duket mjaft skizofrenike do thoja. Ndërkohë kjo gjëja e Maqedonisë së Veriut dhe hapja e kësaj ‘Kutie Pandore’ në marrëdhënien…, pra, dëmtimi i marrëdhënieve të një vendi me Bashkimin Europian, sepse një vend tjetër ka disa probleme historike për të zgjidhur, kjo mund të shndërrohet në një shpërthim të madh për të gjithë. Imagjinoni kur Serbia të jetë aty dhe Kroacia të thotë le të shohim njëherë historinë se seç ka diçka aty që duhet zgjidhur, apo kur Shqipëria, Kosova apo Serbia të jetë. Pra, duhet të shmangim ta vënë historinë në mes të procesit të integrimit europian”, tha Rama.

“Nuk e morëm vaksinën nga Kina, por nga distributori në Turqi”/ Marrëdhëniet tona me Kinën janë absolutisht normale, nuk ka asnjë gjë speciale

I pyetur lidhur me blerjen e vaksinave kineze dhe marrëdhënien me Kinën, Rama tha se “ne u lamë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave në fillim dhe kur them ne, jo vetëm Shqipëria, por të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.

“Kështu që kjo fqinjësi, kjo lagje në mes të Europës e rrethuar nga kufij të BE-së ishte e izoluar nga pjesa tjetër për sa u takon kapaciteteve për të luftuar pandeminë. Na u desh të vepronim vetë, të bënim përpjekjet individualisht dhe për ne shkoi mirë. Lidhëm kontratë me ‘Pfizer’ dhe ‘AstraZeneca’. Për të qenë të saktë, nuk e morëm vaksinën nga Kina, por nga distributori në Turqi”, tha Rama.

Ai shtoi se “marrëdhëniet tona me Kinën janë absolutisht normale, dhe normalja në këtë marrëdhënie nënkupton se nuk ka asnjë gjë speciale”.