ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama foli sot për përfitimet që do të kenë individët e interesuar për të investuar në agroturizëm nga “Paketa e Maleve”.
Duke marrë shkas nga historia e Entelës, e cila vendosi familjarisht të kthehej në Koman për të ngritur një bujtinë pritjeje, Rama theksoi se “Paketa e Maleve” është bërë ekzaktësisht për këtë qëllim, për t’iu ardhur në ndihmë këtyre familjeve.
“Bashkia ka bërë një punë shumë të mirë. Ka pasur aplikime, kanë nxjerrë edhe fitues. Nëse ju doni të zgjeroheni, kjo është mënyra më e shpejtë”, iu drejtua Rama të ftuarës në podkastin “Flasim”.
Po ashtu Kryeministri theksoi se “Paketa e Maleve” iu vjen në ndihmë atyre që kanë probleme me pronësinë në aspektin e regjistrimit.
“Mënyra më e shpejtë është të shfrytëzoni rrugën e ‘Paketës së Maleve’ dhe të bëni një projekt të integruar. Pastaj aty brenda për brenda projektit bëhet dhe legalizimi i shtëpisë”, shtoi Rama.
/r.e/



























