Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në takimin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Moldavi.
Ky takim mbahet në Kishinau të Moldavisë, ku rreth 50 liderë evropianë u mblodhën për të diskutuar për çështjet e sigurisë dhe energjisë së kontinentit.
Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale fotoalbumin nga takimi i Komunitetit Politik Evropian, ku krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore, liderët kanë zhvilluar edhe takime me njëri-tjetrin.
Në këtë kuadër, Kryeministri Rama është takuar edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Nga ana e tij Presidenti Zelenskyy u shpreh me anë të një postimi në Twitter se, “në Moldavi, në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian, u takova me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski”.
“Falënderova liderët për mbështetjen e vazhdueshme gjithëpërfshirëse të Ukrainës dhe ndihmën praktike në luftën kundër agresionit rus, veçanërisht për pranimin e vendeve të Ballkanit në të gjitha paketat e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, theksoi Zelenskyy.
Ndërsa më herët, në takimin me presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, kryeministrin holandez, Mark Rutte e presidentin serb Aleksandër Vuçiç, Rama u shpreh se, konflikti në veriun e Kosovës duhet të zgjidhet krah për krah me botën demokratike.
Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidentit francez Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.