ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e së enjtes se e kërkon mandatin e tretë për t’u siguruar për pakthyeshmërinë e disa proceseve të rëndësishme, që nga Reforma në Drejtësi te rindërtimi e dalja nga situata e pandemisë.

I ftuar në një studio televizive, Rama tha se ndërsa ai po kërkon mandatin e tretë, Sali Berisha dhe Ilir Meta po kërkojnë të pestin.

“Mendoj se ka akoma shumë për të bërë dhe unë kam akoma shumë për të dhënë. Nëse unë do ta kuptoja se nuk kam shumë për të dhënë do isha unë që do thosha ‘Stop’. Por, janë kaq shumë gjëra në mes të rrugës dhe është kaq e rëndësishme të sigurohet pakthyeshmëria e këtyre proceseve, si baza e një drejtësie të re të mos kthehet mbrapsht dhe kërcënohet të kthehet mbrapsht. Nëse unë po kërkoj mandatin e tretë, Saliu dhe Meta po kërkojnë mandatin e 5-të duke vënë një dhëndër para”, tha Rama.

Kryeministri tha se janë akoma gjithë ato familje që duhen çuar në shtëpi. “Kush do ta bëjë? Këta me raki dhe trumpeta? Është luftë për t’u fituar, si iket në mes të luftës. Duhet të dalim nga ai tunel i pandemisë, janë gjithë ato punë, një Shqipëri me 4 aeroporte, ‘net eksporter’ i energjisë. Ka ardhur në pikën që mund t’i rrisim eksportet bujqësore përsëri me disafish, ka reformë ai ajo në arsim që duhet të vazhdojë deri në fund. Tani po vihet shëndetësia në një farë rregulli nga ana e infrastrukturës”, tha Rama.

Një gjë është e sigurt, tha Rama, “unë jam Kryeministri që ka bërë më shumë kilometra në territorin e Shqipërisë nga viti 1912”. “Mua në detyrë më mban pasioni i madh që kam për të realizuar atë vizion dhe për ta bërë realitet atë ndryshim që unë e shoh dhe po ndodh hap pas hapi, diku më shpejt, diku më ngadalë”, tha ai. /j.p/