Kryeministri Edi Rama i drejtoi sot një urim të gjithë besimtarëve muslimanë për muajin e Ramazanit dhe një falënderim të megjithëzemërt klerit shqiptar e të gjithë besimtarëve të vendit tonë pa dallim.
Rama tha se “ky është momenti për ta falënderuar, një mijë herë nga zemra, klerin shqiptar e besimtarët e mësuar të mësyjnë tempujt në kohën e këtyre trokitjeve, për vetëdijen e lartë e për vendimin e dhimbshëm, po të fortë e të drejtë, për të mos u shkëputur nga zinxhiri i rezistencës sonë kombëtare, duke e lartësuar e jo turpëruar Zotin e tyre me mbajtjen kyçur të tempujve”.
“Si në kohërat kur zbritej në katakombe apo gjendej prehje veç në oazet e Hixhazit, kleri shqiptar nuk iu përgjigj me karshillëkun e mendjes së mbyllur, por me njerëzillëkun e zemrës së hapur, nevojës jetike të popullit e të Shqipërisë për të mos i hapur shtigje armikut të padukshëm, duke u mbledhur në emër te Zotit mu siç i duhet armikut të padukshëm për te na prerë e për të vrarë”, tha Rama.
Ai theksoi se “me maturi e mirëkuptim në Zot e në shkencë, tempujt e u zëvendësuan me kishën shtëpiake, me mesxhidin e familjes, me teqenë e zemrës në lutjen sa vetmitare aq edhe universale të besimtarëve në profetë të ndryshëm, me Zotin e njëjtë”.
Falë kësaj mençurie në vendimmarrjen e klerit shqiptar, ai tha se “tempuj sot të kyçur, do të rihapen nesër pa asnjë njollë gabimi njerëzor e asnjë gisht të njerëzve të Zotit në punët e liga të armikut padukshëm”.
“Sepse ditët e mira, paskëtaj vinë. Dhe kjo që beri kleri shqiptar, do t’u mësojë edhe atyre që s’besojnë në Zot, se nga shtëpitë e Zotit këtu në Shqipëri vjen veç e mira edhe për ta, sepse kleri i këtij vendi e sheh dhe e do popullin shqiptar si një i tërë, mu si Zotin vetë mbi tokën ku sot ne banojmë përkohësisht”, tha Rama.
“Mund ta them me plot gojë të dashur miq e vëllezër klerikë, se sot ju jeni një shembull rrezatues e motivues për gjithë shoqërinë dhe se e gjithë shoqëria, çdo individ i kësaj shoqërie, duhet ta marre shembullin tuaj e ta bëj të vetin, duke i respektuar pa dëngla e as qurravitje, siç bëtë edhe ju, rregullat e kësaj lufte botërore me armikun e padukshëm. Sepse shëndeti është mbi të gjitha, e mbi gjithçka jeta e secilit lidhet me shëndetin, me zemrën e me mendjen dhe pastaj, patjetër edhe me stomakun”, vijoi ai.
Rama tha se “kështu, të gjithë së bashku, besimtarë apo jo, si njerëz të arsyeshëm e të durueshëm, ne do t’ia dalim deri në fund kësaj lufte dhe Shqipëria që sot varet në jetë e në shëndet nga vendimet e veprimet e çdonjërit prej nesh, i madh a i vogël, i pasur a i varfër, i moshuar a i ri, nuk do të turpërohet nga vdekjet që mund të shmangen e nga plagët që mund të lehtësohen, falë forcës së durimit e të bashkimit tonë”.
Më poshtë mesazhi i Kryeministrit Edi Rama në nisje të muajit të Shenjtë të Ramazanit:
“Fort të dashur Vëllezër e Motra,
Gjatë këtij fragmenti kohe të jashtëzakonshme, kur bota befas ka nisur të rrotullohet në të kundërt të vetvetes, duke ngadalësuar marramendshëm shpejtësinë e saj, dhe kur njeriut i është urdhëruar si nga lart fare, një ndalesë e papërfytyrueshme e jetës sociale, hyn sot ai që në fenë islame është pagëzuar si muaji i madhnueshëm i Ramazanit.
Për kë e njeh sadopak praktikën islame dhe e ndjek sadopak fillin e arsyes që e veçon këtë muaj nga të tjerët, nuk është e vështirë ta çmojë potencialin e tij lehtësues, për shpirtin e per trupin e njeriut, nën dritën e Hilalit, “vetullës së ndritshme dhe të hollë e hënës”, siç quhet poetikisht në fenë islame shenja kozmike që prej qiellit ndriçon kalendarin shpirtëror të besimit tek paqja e brendshme e tek pajtimi mes njerëzve.
Paqe me veten pavarësisht vështirësive, pajtim me tjetrin pavarësisht kundërshtive. Tamam si bota që sot po rrotullohet mbrapsht me një ngadalësi te hatashme, duke na imponuar nën syrin e armikut të padukshëm përmbysjen e rregullave të përditshme, edhe vështrimi i njeriut gjatë këtij muaji kthehet mbrapsht, brenda vetes, në kërkim të reflektimit të dritës që lidh brendinë e pafundme të qiellit me brendinë e pakufishme të qenies njerëzore.
Vetmia e izolimit të imponuar së jashtmi prej mësymjes së një fuqie armiqësore të aftë për t’i nënshtruar përkohësisht fuqitë tokësore, duke i bërë njësh, popujt e mëdhenj e të vegjël, të pasurit e të varfrit, vjen e takohet sot e për një muaj në vazhdim, me imponimin për të kërkuar në vetminë e rrugëtimit brenda vetes, njehsimin e qenies sonë të përveçme me shpirtin e ngjashëm njerëzor që banon përkohësisht brenda nesh si qenie shoqërore.
Dhe në këtë kohë kur jemi kyçur të gjithë brenda rrethit të ngushte të familjes, teksa së jashtmi bashkë me transportuesit e zhurmshëm metalikë, janë kyçur edhe hapësirat e tempujve që transportojnë besimtarët në udhëtimin e tyre mendor mes shpirtit e qiellit, ne shqiptaret, si rrallë kush, jemi vizituar tri herë dhe ngushëlluar po aq nga trokitjet e kalendarit të besimit.
Dy herë Pashkë dhe nga sot një Ramazan, për të lehtësuar zemrat e shumëkujt në këtë vend, që siç thuhet në meshën e shenjtë, ngrihen lart, sapo ndjejnë mirësinë dhe dashurinë që ngjallin edhe në shpirtrat më të trazuar e zemërakë, të kremtet e bekuara.
“I bekuar Ai që vjen në emrin e Zotit”, thuhet në Ungjill.
I bekuar çdokush që në emrin e Zotit dhe të përkujdesjes për njëri-tjetrin, nën shenjën e kryqit, hilalit, apo besimit tek pathyeshmëria e njeriut, vjen të çngrysë vetullat e njeriut, të rrëfejë për dritën që gjendet pas çdo errësire, të lehtësojë barren e të përditshmes me kumtin e të perjetshmes, i cili transmetohet nga njeriu tek njeriu si një përbashkesi pa kohë e pa territor.
“Drita shkëlqeu në errësirë dhe terri dritën nuk mundi ta kaplojë”, shkruan në fillimin e Ungjillit të tij, apostulli Gjon, i syrgjynosur në Patmosin e Egjeut, në një vetmi, në një karantinim mund të themi ne të vetëkarantinuarit e sotëm, e cila s’është pa shëmbëlltyrë me atë qe sot na mundon e na bashkon të gjithëve.
Nuk kam guximin ta them dot se po jetojmë në një kohë të bekuar; se vetëkufizimi i lirive tona është një xhenet; se karantimi është një parajsë tokësore për vetvetet tona të përzhitura ne ferrin e zhurmshëm të jetës së përditshme; se shtëpitë ku jemi mbyllur janë si kasollja e apostullit në plazhet më ujëkaltërta e rërëbardha të Egjeut. Por sot, kur e kremtja e tretë e besimit ka nisur në këtë vend, kam guximin t’ju them se e keqja e madhe për të gjithë, ka ardhur me të mirat e saj dhe më e mira ndër to, është mundësia për të reflektuar me detyrim përcaktim të mbyllur siç jemi, mbi sa shumë kohë e mund na merr kotësia gërricëse e të përditshmes dhe sa pak merremi me brendinë e vetvetes e të rrethit të bekuar të familjeve tona.
Ndërkohë që besimtarët katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë vijojnë sot, pas Javës së Madhe të vitit, “në hapat e të Ringjallurit”, i Madhnueshmi Muaj i Ramazanit, amanet i shekujve dhe shenjë kalendarike e zemërbardhësisë së Profetit Muhamet, paqja e Zotit qoftë mbi të, nis ripërtëritjen shpirtërore të besimtarëve myslimanë; tri trokitje njëra pas tjetrës, që dëgjohen brenda mureve të përbashkëta të një izolimi të paimagjinueshëm për të shpëtuar jetë e për të mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit, duke mbajtur distancë me njëri-tjetrin. Janë tri trokitje në dyert e mbyllur të tempujve, që pikërisht edhe për këtë, jehojnë sadopak, pak ose shumë, edhe në brendinë e atyre që besimtarë nuk janë e që kanë po njësoj nevojë, për forcë që t’i rezistojnë presionit të rrotullimit të ngadaltë së prapthi të botës.
Më thoni çfarë të doni, po për mua që Zotin nuk e lidh me hyrjen domosdo në një tempull apo me emrin e një profeti të vetëm a të një territori të mbyllur religjioz, ky ogur që i lidh në vazhdën e kalendarit të besimeve, jetët e besimtarëve shqiptarë të të gjitha besimeve, në këtë kohë sa të mallkuar materialisht aq edhe të begatë shpirtërisht, është i mirë për të gjithë popullin tonë, pa përjashtim. Me kujton ata tri vizitorët e panjohur, që i begenisën Abrahamin e Sarën në çadrën e tyre të vetmuar, në shkretëtirë.
E ky është momenti për ta falënderuar, një mijë herë nga zemra, klerin shqiptar e besimtarët e mësuar të mësyjnë tempujt në kohën e këtyre trokitjeve, për vetëdijen e lartë e për vendimin e dhimbshëm, po të fortë e të drejtë, për të mos u shkëputur nga zinxhiri i rezistencës sonë kombëtare, duke e lartësuar e jo turpëruar Zotin e tyre me mbajtjen kyçur të tempujve.
Si në kohërat kur zbritej në katakombe apo gjendej prehje veç në oazet e Hixhazit, kleri shqiptar nuk iu përgjigj me karshillëkun e mendjes së mbyllur, por me njerëzillëkun e zemrës së hapur, nevojës jetike të popullit e të Shqipërisë për të mos i hapur shtigje armikut të padukshëm, duke u mbledhur në emër te Zotit mu siç i duhet armikut të padukshëm për te na prerë e për të vrarë. Me maturi e mirëkuptim në Zot e në shkencë, tempujt e u zëvendësuan me kishën shtëpiake, me mesxhidin e familjes, me teqenë e zemrës në lutjen sa vetmitare aq edhe universale të besimtarëve në profetë të ndryshëm, me Zotin e njëjtë.
Falë kësaj mençurie në vendimmarrjen e klerit shqiptar, tempuj sot të kyçur, do të rihapen nesër pa asnjë njollë gabimi njerëzor e asnjë gisht të njerëzve të Zotit në punët e liga tëe armikut padukshëm. Sepse ditët e mira, paskëtaj vinë. Dhe kjo që beri kleri shqiptar, do t’u mësojë edhe atyre që s’besojnë në Zot, se nga shtëpitë e Zotit këtu në Shqipëri vjen veç e mira edhe për ta, sepse kleri i këtij vendi e sheh dhe e do popullin shqiptar si një i tërë, mu si Zotin vetë mbi tokën ku sot ne banojmë përkohësisht.
Mund ta them me plot gojë të dashur miq e vëllezër klerikë, se sot ju jeni një shembull rrezatues e motivues për gjithë shoqërinë dhe se e gjithë shoqëria, çdo individ i kësaj shoqërie, duhet ta marre shembullin tuaj e ta bëj të vetin, duke i respektuar pa dëngla e as qurravitje, siç bëtë edhe ju, rregullat e kësaj lufte botërore me armikun e padukshëm. Sepse shëndeti është mbi të gjitha, e mbi gjithçka jeta e secilit lidhet me shëndetin, me zemrën e me mendjen dhe pastaj, patjetër edhe me stomakun.
Ja kështu, të gjithë së bashku, besimtarë apo jo, si njerëz të arsyeshëm e të durueshëm, ne do t’ia dalim deri në fund kësaj lufte dhe Shqipëria që sot varet në jetë e në shëndet nga vendimet e veprimet e çdonjërit prej nesh, i madh a i vogël, i pasur a i varfër, i moshuar a i ri, nuk do të turpërohet nga vdekjet që mund të shmangen e nga plagët që mund të lehtësohen, falë forcës së durimit e të bashkimit tonë.
Mu siç thuhet në përkthimin e liturgjisë së Shën Joan Gojartit, ne do të rrimë deri në fund në llogoret tona duke menduar “për erëra të mira, për kohë me paqe, për të sëmurët, vuajtësit dhe robërit” e kësaj flame të verbër, e cila nuk do të na e qorrojë dritën e arsyes e nuk do të na e djege fillin e durimit, duke na sprovuar me të tëra hallet e mëdha që na ka sjellë si njerëz, si familjarë, si popull e si shtet.
Në një hadith thuhet: “Askush prej jush të mos ia drejtojë vëllait të vet armën! Djalli përmes dorës së tij mund të shkaktojë ndonjë bela e kështu do të përfundoni në zjarr” (Muslim, Birr ve Sila, 126, Hadithi 6668). E pra, ata qe humbasin durimin e shfryjnë kundër rregullave, duke thënë se duhet te vazhdojmë jetën normalisht se e di Zoti këtë pune, sot mund ta mësojnë nga shembulli i klerikëve shqiptare dhe mund ta shohin në dyert e mbyllura të të gjithë tempujve, ku trokiti tri here rresht koha e kulmore e kalendarit të besimit, se kush ia lë Zotit përgjegjësinë e tij ndaj të tjerëve, thjesht i kthen atij vetë kurrizin.
“Profeti”,- shkruan Ibn Halduni, “ka qenë i dërguar për të na mësuar ligjin e Zotit, jo mjekësinë e as ndonjë gjë tjetër!” (Mukaddime, 488). E pra, nën ligjin e Zotit, klerikët shqiptarë po ju thonë të gjithëve, se mjekësinë sot nuk duhet ta dyshojmëe e as ta diskutojmë, po ta dëgjojmë e ta ndjekim deri në fund në këshillat e saj, për të shpëtuar jetë që pa ne mjekësia nuk i shpëton dot, për të lehtësuar plagë, qe pa ne mjekësia nuk i kuron dot.
“Mos i bë tjetrit, atë që nuk do që të të bëjnë të tjerët”. Ky është refleksi në pasqyrë i thelbit të besimit në Zot.
“Duaje të afërmin tënd, si veten tënde”. Ky eshte refleksi ne pasqyren e kesaj lufte, i secilit prej nesh, qe tek vetja duhet te shohim edhe prindin, edhe femijen, edhe fqinjin, edhe te panjohurin, ne cdo cep te vendit a te globit.
Ju vellezer e motra te beses islame, keshtu dëshmuat perseri, gatishmëri për t’u bere refleksi ne pasqyren e luftes i te gjitha motrave e vellezerve shqiptare, duke u perulur perpara vendimit per mbylljen e tempujve e duke e pranuar tavanin e shtepise si nje copez te tavanit te tempullit te munguar.
Islami është një besë që mirë e di, se sa vlen një jetë, në brishtësinë e saj dhe çka vërtet është e rëndësishme.
“Nëse të ndaluarën nuk e bëni të lejuar dhe të lejuarën të ndaluar, nëse gaboheni në kuptim, s’ka gjë”, thotë Profeti (Buhari, Abdulaziz, Keshfu’l-Esrâr, III, 55). Por e ndaluar përjetë, është të mbjellësh vdekjen dhe e lejuara qe perjete nuk mund te ndalohet, është të ruash jetën.
Prandaj sot, sic paralajmëronte Ebu Hurejaja: “O çun i vëllait tim! Kur të citohet një hadith, mos u fut kot në mendime” (Tahavi, Sherhu Maâni’l Athâr, I,63), dhe sic këshillonte Nëna e Besimtarëve (Aishja): “Në këto çështje, mjaftohuni me Kur’anin” (Buhari, Xhenâiz, Hadithi, 1288).
Prandaj edhe gjithashtu, sa më i thjeshtuar solemniteti i iftarit këtë vit, aq më e pranuar lutja e akshamit; sa më të heshtura hapat drejt xhamisë, aq më kumtues zëri i ezanit, pas te cilit shpirti u besimit tuaj do te mbushe shtepite me ngazellim gjate iftarit, si dikur temjani në pallatin e kristaltë të Sulejmanit (Kur’an, Saba, 27,44).
85 vjet më parë, i përndershmi Hafiz Ali Kraja, bënte një konstatim të thjeshtë, por që duhet të jehojë fort tek ne sot e gjithë ditën: “Do të ishte gabim të paramendohet kombi si një shoqërim ndërmjet individëve, të cilët nuk kanë ndjenjat e përgjegjësisë e të detyrimit”.
Këto ndjenja detyrimi e përgjegjësie, sidomos në kohë të vështira, në kohë lufte, i përjetoi deri në skamje, vuajtje dhe mungesë përdëllimi edhe i madhi Hafiz Ali Korça, patriot nga më të mirëfilltit.
“Tufani i Nuhut (Noesë), n’ishte prej uji, ky është tufan i gjakut”, do të kishte profetizuar ai sot (Bolshevizma a çkatërimi i njerëzimit, 1925, f. 23).
E në mbyllje fort te dashur miq, lejomëni që t’ju them të gjithëve fjalët e dikujt që nuk ishte as profet e as besimtar ritualist, po president i Shteteve te Bashkuara, Benjamin Franklin. Ai thoshte: ilaçi më i mirë për trupin e njeriut është agjërimi dhe pushimi. Por feja e sheh agjërimin edhe si frenim të gjuhës e korrigjim të veprimit, nën peshën e brendshme të reflektimit që lehtësohet nga agjërimi.
Në këtë kohë të vështirë, kur ekonomia jonë kombëtare e ajo familjare po goditet, agjërimi sado i vogël do të lehtësonte edhe gjuhëçartjen e atyre që ankohen e ankohen në fejsbuk, deri edhe se po vdesin për bukë apo me keq akoma, se populli po vdes për bukë, duke ua holluar helmet në trup, lehtësuar mendimet dhe frenuar gjuhën nga këto shprehjet pa kuptim e as mbështetje në realitetin historik të shqiptarit, në shekuj e jo më sot. Shqiptari nuk ka vdekur e nuk vdes kurrë për bukë, për njëmijë e një arsye.
Por arsyeja sot pse e solla bukën në fund të fjalës, lidhet me mirësinë fizike e shpirtërore e mendore që sjell agjërimi që nisin sot besimtaret muslimanë. Me pastrimin trupor e lehtësimin mendor, që sjell porosia e Profetit, paqja e Zotit qoftë mbi të, si edhe e tërë praktika fetare e çdo besimi, për kapërcimin e vakteve të zakonshme në ditë të caktuara të muajit, apo edhe vetë praktika mjekësore në kohëra rëndesash për shëndetin trupor e mendor të njeriut.
Prej këtu ushqehet edhe drejtpërdrejtë në trupin e në mendjen e njeriut, burimi i çlirimit të energjive te ripërtërira pozitive të pasvuajtjes nga prishja e zakonshmërisë së të ngrënit, që gjendet edhe në fjalinë e madhe hyrëse të ditëve të Ramazanit, pas vuajtjes vjen lehtësimi.
Kjo nuk është një formulë politike, nuk është kurrësesi as një recetë qeveritare në dite kaq të vështira për ekonominë e familjes sonë të zakonshme shqiptare, por një hyrje në urimin e kësaj dite që po perëndon si një fillim i ri, për motrat e vëllezërit muslimanë, që ta kenë të lehtë e të pranuar agjërimin në këtë muaj të madhnueshëm të Ramazanit – e po ashtu, edhe për të gjithë të tjerët, që pa qenë besimtarë, mund ta gjejnë individualisht e familjarisht, lehtësimin duke e kërkuar pikërisht aty ku buron edhe vuajtja e kësaj kohe te mbingarkuar!
Zoti e bekoftë Klerin Shqiptar! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe na dhëntë të gjithëve më shumë forcë e kthjelltësi, nën dritën hyjnore të Hilalit, përgjatë këtij muaji vendimtar që kemi përpara”!
/m.m/j.p/atsh