/ATSH – I. Vata/- Pas mbledhjes së Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore bashkëkryetari Damian Gjiknuri tha ka dakordësi që diskutimet të përfundojnë brenda 31 majit. Por, sipas tij, “ka një tendencë nga ana e opozitës për të fshirë atë që është arritur për Reformën Zgjedhore në Këshillin Politik”.

“Nuk kemi të bëjmë me rifillim lloje por me vazhdimin e asaj ku e lamë. Nuk mund të rikthejmë më axhendat. Ka një metodologji të dakordësuar dhe nuk mund t’i rikthehemi lojës nga e para. Ka dakordësi që të përfundojë deri në fund të majit. I mbetet ekspertizës që kemi dhe ODIHR. Nuk mund të hapen çështje të reja. Ne kemi zgjedhur një arbitër. Nga diskutimet politike nuk del gjë. Unë mund të kem listën time të dëshirave por kemi një dokument dhe s’mund të lëvizim nga kjo. Për gjërat që nuk ka dakordësi do i drejtohemi ODIHR”, deklaroi Gjiknuri.

Gjiknuri vuri në dukje se “ne duam ta mbyllim këtë proces me opozitën, siç jemi në këtë forum, por natyrshëm nuk mund të kthehet në një pengesë. Mund të thuash jo dhe kjo është lista ime dhe po si pranove këto reforma nuk bëhet. Shqipëria ka dhe detyrime”.

Përsa i përket problemit që qëndron mes palëve, Gjiknuri tha se është problemi i administratës zgjedhore ku po presim dhe propozimin e PD-së për KQZ që tashmë nuk e ka sjellë, megjithëse kishin kohë që thoshin se e kemi gati.

“Çështja e Kolegjit dhe ajo është duke u diskutuar, ndërkohë për elementë të tjetrë kemi qenë dakord, përfshirë atë të teknologjisë. Ka dhe një opinion të ODIHR se si shtrihet përdorimi i teknologjisë. Video survejancë për të parë rendin në qendrat e votimit, e kemi pranuar. Rolin e policisë e kemi pranuar. Çështja e kuotave gjinore është në diskutim akoma, ka një opinion të  ODIHR që është vetë aty dhe mund ta marrim parasysh. Pra janë një numër çështjesh që është punuar, drafti është shpërndarë edhe te ekspertët e PD-së, nuk ka pasur propozime shtesë nga ana e tyre. Mmendoj se ka një frymë kompromisi”, u shpreh Gjiknuri.

Përsa  i përket votës së emigrantëve, Gjiknuri tha se ekspertët kanë gjetur një zgjidhje optimale. “Meqenëse vota e emigrantëve do të zhvillohet në distancë mund të përdoren mjete të postës dhe ajo ka elementë teknikë dhe ne si ligjvënës nuk jemi në gjendje t’i parashikojmë deri në detaje. Këtë të drejtë  ia kemi deleguar KQZ-së dhe aktet nënligjore të KQZ do të parashikojnë se si mund të ushtrohet vota e emigrantëve, pasi emigrantët të regjistrohen dhe në listat përkatëse zgjedhore”, u shpreh ai.

“Ne kërkojmë ta bëjmë me konsensus Reformën Zgjedhore, sepse nuk mund të pengohet një proces siç është integrimi i Shqipërisë në BE. Kështu ne do bëjmë çmos që të gjejmë konsensus, por ne i kemi mundësitë që të vazhdojmë me të paktën pjesën më të madhe të pikave. Vendi ka nevojë për një Kod të Ri Zgjedhor, vendi  ka nevojë për Reformë Zgjedhore që të jetë themeli që partitë të mbahen larg nga procesi. Akuzat më të mëdha vijnë për partitë politike. Ato kanë rol në procesin zgjedhor dhe as unë si qeveri dhe as ti si opozitë nuk do kesh punë me procesin zgjedhor”, tha ai. /j.p/