ATSH/ Në Krujë vijon puna për restaurimin e Teqesë së Dollmës, pranë kalasë së Krujës, një nga monumentet më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Konservuesit e veprave të artit, Edlira Çaushi dhe Gentian Vokopola, po kryejnë në 7 metër lartësi konsolidimin paraprak të shtresave të dëmtuara të pikturës murale të kupolës së Teqesë së Dollmës në Krujë, objekt i shek. XVIII.

Trashëgimia Kulturore pa Kufij-Shqipëri (CHwB Albania) bën të ditur se “konsolidimi paraprak i shtresave të pikturës murale po realizohet përpara pajantimit të përkohshëm të kupolës e të mureve të teqesë, proces që do ndiqet më tej nga restaurimi i plotë i këtij objekti”.

“Ndërhyrjet stabilizuese emergjente nuk do ishin të mundura pa mbështetjen e Prince Clause Fund, ndërkohë që restaurimi do të mbështetet nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, AFCP, në bashkëpunim të ngushtë me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrinë e Kulturës”, – thekson CHwB Albania.

Teqeja e Dollmës është një teqe në Kalanë e Krujës. Teqeja është monument kulture i Kategorisë së Parë, ndërtuar në vitin 1778 dhe një nga më të rëndësishmit e qytetit të Krujës./k.s//a.a/